Boks, Gjetan Keta vs  Gëkalp Ëzekler

09/01/2016 18:35

Pas disa dështimeve, më në fund Këshilli Botëror i Boksit ka vendosur që kundërshtari i radhës i Gjetan Ketës për titullin kampion interkontinental WBO për peshat e mesme të jetë turku Gëkalp Ëzekler.

Falë këmbënguljes së madhe të vëllait dhe trajnerit të tij, Ismailit, dueli Keta-Ëzekler do të zhvillohet më 19 shkurt në pallatin e Sportit “Asllan Rusi”, në Tiranë.

“Që kur unë i thash që ia arritëm qëllimit që ndeshja të bëhet në Shqipëri, ai ndihet dy herë më i motivuar. Nuk pret t’i them unë vazhdo stërvitjen, por është vetë i gatshëm. Gjetani, me mbështetjen e publikut shqiptar është i pathyeshëm”, thotë trajneri i boksierit.

“Ndihem shumë mirë, jam në formën më të mirë, i lumtur dhe shpresoj se do të bëj një ndeshje të mirë. Besoj se tifozët kuqezi do të më mbështesin që të arrij një fitore dhe t’i nderoj”, thotë nga ana e tij Gjetan Keta.

Për shkak të prejardhjes së tij turke dhe ndeshjeve të mira që ka zhvilluar deri tani, kundërshtari i Ketës ka marrë dhe nofkën Sulltani.

“Kundërshtarin e njoh mirë, është shumë i fortë. Por shpresoj që ndeshja të shkojë në favorin tim edhe pse ai ka vetëm një humbje dhe unë tre”, shprehet Keta.

“Askush nuk është i pathyeshëm, ashtu siç mund të jetë edhe Gjetani i thyeshëm atë ditë. Por kam shumë besim tek forca dhe vullneti i tij, tek përgatitja e tij fizike dhe tek përvoja ime për t’i dhënë udhëzimet e duhura”, thotë i vëllai.

Edhe pse është mëse i bindur te forca dhe forma që do të tregojë i vëllai, trajneri Ismail Keta sërish nuk shprehet euforik. “Në sport ka një fitues dhe një humbës dhe të gjitha duhen pranuar. Por kam shumë besim dhe lus Zotin”, shprehet ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA