Qeveria siriane lejon ndihmat për zonat e rrethuara

07/01/2016 16:35

Qeveria siriane pranoi të lejojë ndihmat mjekësore dhe ushqimore për banorët e një zone rebele të rrethuar, pas raportimeve se njerëzit në këtë zonë po vdisnin urie.

Bëhet fjalë për banorët e fshatit Madaya, i kontrolluar prej muajsh nga rebelët dhe i vendosur në qendër të ofensivës së ushtrisë së presidentit Basha al-Assad nga toka dhe nga ajri.

Lajmi për vendimin e Damaskut konfirmohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Një koordinator humanitar tha për mediat ndërkombëtre se ndihmat pritet të mbërrijnë në destinacion brenda pak ditësh.

Agjenci dhe shoqata të ndryshme humanitare deklarojnë se situata në fshatin Madaya, pranë kryeqytetit Damask është ekstremisht e nderë. Njerëzit po vdesin për bukën e gojës, ndërkohë që janë me dhjetra të plagosur që u rrezikohet jeta nëse nuk marrin sa më shpejt ndihmën mjekësore të nevojshme.

Përveç këtij fshati, OKB thotë se shpreson që të arrijë një marrëveshje të ngjashme, por këtë herë me forcat rebele, për të futur ndihma në fshatrat Foah dhe Kefraya, në veri të vendit.

Sipas OKB-së, 4.5 milionë sirianë jetojnë në zona me konflikt të ndezur, ku punonjësit e agjencive dhe shoqatave humanitare e kanë të pamundur që të futen. Nga këta, thuajse gjysmë milioni jetojnë në fshatra, qytete apo zona të rrethuara.

OKB lëshon alarmin se të gjitha palët e përfshira në konflikt kanë shkelur më shumë se një herë ligjet ndërkombëtare duke përdorur armë dhe taktika të ndëshkueshme nga Konventa e Gjenevës. Mes tyre, thotë OKB, është përdorimi i taktikës së rrethimit, e ndaluar nga ligji ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA