Reforma në drejtësi, ekspertët të ndarë për formulën e Kushtetueses; PD kundër 3/5-tave

05/01/2016 14:30

Kompromisi politik për reformën në drejtësi ka rishfaqur sërish anën e brishtë në tryezën e radhës të ekspertëve të nivelit të lartë, të cilët u mblodhën për të reflektuar ndryshimet kushtetuese për Gjykatën Kushtetuese, pas draftit paraprak.

Ekspertët e të gjitha kaheve politike kanë qenë të kuptueshëm me njëri-tjetrin për buxhetin e pavarur të Gjykatës Kushtetuese; zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate me shumicë absolute nga anëtarët; mandatin e tyre dhe përbërjen me 9 gjyqtarë.

Megjithatë, ata nuk kanë gjetur një pikë të përbashkët e as këndvështrim të njëjtë për formulën e përbërjës së anëtarëve, e cila parashikohet të jetë me 3 anëtarë të emëruar nga Presidenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga mbledhja e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative.

Është pikërisht përfshirja e Gjykatës së Lartë Administrative, që kundërshtohet nga opozita, çfarë ka bërë që për këtë pikë të vendoset në një moment të dytë.

“Formula mbizotëruese është ajo që parashikon kompetenca të ndara të organeve kushtetuese, për emërimin e 1/3-tës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka mbizotëruar dhe po mbetet ende deri më tani, pra formula 3+3+3”, tha Aurela Anastasi, eksperte e nivelit të lartë.

Por, ajo çfarë e vendos në pozita kundërshtuese opozitën ka lidhje me kriterin e miratimit me shumicë të cilësuar prej 3/5-tave, duke e lënë edhe këtë çështje për të rënë dakord apo jo, në një moment tjetër.

“Krerët politikë të mazhorancës, Rama dhe Meta, të jenë ata që t’i ofrohen dhe të përqafojnë zgjidhjen që ka dhënë opinioni i Komisionit të Venecias. Tre të pestat është një shumicë, që kap sistemin e drejtësisë. E kap sot, e kap edhe më vonë. Pa tejkaluar këtë lloj zgjidhjeje politike, këtë lloj ngërçi, që mund të zgjidhet vetëm përmes një kompromisi politik midis aktorësh politikë, do të ishte thjesht dhe vetëm një kozmetikë. Këmbëngulja që konstatova sot gjatë gjithë debatit, për të lexuar keq dhe për t’i qëndruar fort këtyre formulave, që kapin politikisht sistemin e drejtësisë, më ka lënë të kuptoj sinjalin se, nga mazhoranca nuk ka një dëshirë për të përqafuar dhe për të qenë konform atyre urdhërimeve, udhëzimeve apo orientimeve e këshillave, që Komisioni i Venecias ka dhënë”, tha Enkelejd Alibeaj, ekspert i PD-së.

“Nuk e di çfarë kuptoni ju me nen më të diskutuar, ndoshta mund të ketë edhe ndonjë nen që kërkon edhe diskutim politik… Por ne mendojmë se edhe atje, kur ka nevojë për zgjidhje politike dhe jo thjesht juridike, ne të dalim me variantet tona”, tha më tej Aurela Anastasi.

Nuk u tha një fjalë përfundimtare nga ekspertët, edhe për shtimin e pikës F të nenit 131, ku thuhet se Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpallë si antikushtetues një ligj të miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.

“Ajo që ka thënë dhe rekomandon Komisioni i Venecias është fare e qartë: Konsensus politik për të ndërtuar një reformë gjithëpërfshirëse për të ndërtuar një kushtetutë minimaliste, për të ndërtuar një kushtetutë të thjeshtuar. Kjo është ajo që thotë Komisioni i Venecias dhe për këtë mendoj se është momenti për të çelë dialogun politik”, tha ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA