Manchester United po përballet me një problem në këtë sezon: shënimin e golave. Në 20 ndeshje të luajtura në Premier League, “Djajtë e Kuq” kanë shënuar vetëm 24 gola. Për këtë arsye drejtuesit e klubit anglez po kërkojnë të sjellin në “Old Trafford” alternativa të reja që të ndihmojnë repartin e avancuar.
Sipas “Daily Star”, Manchester United ka vënë në shënjestrën e tij 4 futbollistë, ndërkohë që fondi i përcaktuar në merkato është 215 milionë paundë. Një prej lojtarëve që kërkohet është Felipe Anderson, të cilin ata mund ta marrin që në merkaton e këtij muaji. Braziliani ka një kontratë me Lazion për një pagë prej 70 mijë paundësh në javë, por Manchester United është gati t’i ofrojë 170 mijë paundë në javë për ta sjellë në Angli.
Një tjetër emër që po përmendet është ai i Sadio Mane nga Southampton. Te Manchester United janë të bindur se mund ta sigurojnë shërbimin e senegalezit 23-vjeçar për 30 milionë euro, kjo edhe për shkak të situatës së krijuar mes futbollistit dhe klubit të tij aktual. Mane ka një kontratë me Southampton deri në vitin 2018, por ai nuk dëshiron ta rinovojë atë, gjë që mund të shfrytëzohet fare mirë nga “Djajtë e Kuq”.
Në merkaton e Manchester United po flitet edhe për Aubameyang nga Borussia Dortmund. Sulmuesi nga Gaboni vlerësohet 50 milionë paundë, por Manchester United për këtë rast duhet të përballet me Arsenalin, që ditët e fundit ka shfaqur interesim për të.
Dhe në fund është ai që është cilësuar si blerja më e shtrenjtë në futboll, Gareth Bale. Manchester United e kishte kërkuar prej kohësh uellsianin, por pa mundur ta sjellë në “Old Trafford”. Në janar është e pamundur blerja e kartonit të tij, por në muajt e verës anglezët mund të shfaqen në zyrat e Realit me një ofertë prej 100 milionë paundësh.
Top Channel