Pasi u bë bilanci i një viti, analistët arritën në përfundimin se Europa është goditur nga disa kriza ekzistenciale, nga ajo e kolapsit financiar grek, tek fluksi i pakontrolluar i refugjatëve apo deri tek sulmet terroriste të Parisit, ndaj edhe parashikimi i tyre për 2016-n është se do të jetë një vit i rrëmujshëm.
Në gjykimin e analistëve, problemet financiare do të jenë kryefjala e tryezave që do të mbledhin bashkë krerët e Bashkimit Europian. Por jo vetëm Brukseli, sipas tyre, kriza nuk do të njohë kufij dhe do të përfshijë të gjithë globin.
Në një kohë kur lulëzimi i ekonomisë bazohet në rritjen e çmimit të aseteve, ndërkohë që të ardhurat janë të ulëta dhe borxhi si kreditë është tepër i lartë, atëherë këto faktorë do të sjellin një tjetër krizë financiare, pra kjo quhet ndryshe si një “rritje e rreme e ekonomisë”.
Viti 2016 do të jetë një vit i rrezikshëm për të jetuar, do të jetë një vit që do mundohet të rregullojë fasadën përpara sesa problemet e vjetra të dalin sërish në sipërfaqe.
Tatëpjeta e çmimit të naftës do të thellohet në vitin 2016. OPEC-u dhe vendet e Lindjes së Mesme vijojnë prodhimin e arit të zi me të njëjtat sasi, ndërkohë që në treg ka tepricë. Madje qeveria e Iranit ka vendosur si objektiv që të prodhojë 500 mijë fuçi nafte në vitin 2016, ndërkohë që një fuçi sot kap vlerën e 37 dollarëve, çmimi më i ulët i regjistruar në 11 vitet e fundit.
Një tjetër çështje që shqetëson ekspertët është Kina. Ata ngrenë pyetjen a do të ulet ritmi i rritjes ekonomike dhe nëse po, sa? Mendimet e analistëve ndryshojnë përsa i përket parashikimit të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Disa prej tyre thonë se Pekini ka gjithçka nën kontroll, ndërsa të tjerë mbrojnë idenë se vendi po vuan investimet e panumërta në fabrika joproduktive apo në pasuri të patundshme të çuara dëm. Është e vështire të kuptohet se ç’po ndodhë në Kinë.
Ndërsa përsa i përket ekonomisë së Bashkimit Europian, ajo do të merrte një goditje të fortë nga dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni. I njohur ndryshe me termin “Brexit”, rezultati i referendumit do të luajë një rol në të ardhmen e vetë Europës, në një kohë kur elita e Unionit, që përbën edhe udhëheqësit më të fortë të kontinentit si kancelarja gjermane Angela Merkel, e gjejnë veten gjithnjë e më tepër në një pozitë të pasigurt.
Kjo do të ndikonte drejtpërdrejtë në tregjet e përbashkëta, pasi tregu i Europës do të ngushtohej. Gjithashtu, kriza e refugjatëve dhe shlyerja e borxhit të Greqisë pritet të marrin drejtim, i cili ende nuk ka dhënë premisa pozitive.
Megjithatë parashikimi është një term që në vetvete nuk paraqet diçka të sigurtë, pasi e ardhmja është e panjohur për këdo, por sipas analistëve, këto janë disa faktorë që me siguri pritet të japin efektet e tyre në ekonomi në terma afatgjatë.
Top Channel