Agjentë të policisë së Korçës kanë ekzekutuar në orët e fundit operacionin e koduar “Pyjet”, përmes të cilit kanë parandaluar kontrabandimin e një sasie lënde drusore.
Sipas një njoftimi për shtyp të drejtorisë lokale të policisë, në pranga kanë rënë tre persona, dy prej të cilëve funksionarë të doganave dhe tjetri përfaqësues i një kompanie private.
Gjithashtu, agjentët kanë ndaluar dy kamionë të ngarkuar me 60 metra kub lëndë drusore që po udhëtonin drejt Greqisë, ku dhe do të depozitonin ngarkesën e tyre.
Sipas njoftimit, personat e arrestuar janë doganierët Indrit Cenaj dhe Namik Idrizi, të cilët akuzohen për “shpërdorim detyre”, si dhe shtetasi Agim Pisha, administrator i subjektit privat “Pisha SHPK”, me bazë në Elbasan.
Nga hetimet ka rezultuar se, Pisha, 46 vjeç, realizonte kontrabandën e lëndës drusore përmes dokumenteve të falsifikuara, ndërkohë që dy doganierët Cenaj dhe Idrizi lehtësonin kalimin e ngarkesave në pikat kufitare.
Top Channel