E ardhmja e Rafael Benitezit në stolin e Realit të Madridit vazhdon të jetë në dyshim. Trajneri spanjoll në këtë moment ndodhet në Liverpul për të kaluar festat me familjen e tij dhe pritet t’i kthehet punës në Madrid në 27 dhjetor, për të përgatitur ndeshjen e së mërkurës që Reali ka me Real Sociedad.
Megjithatë, sipas medias madrilene, ka shumë të ngjarë që pas kësaj date drejtuesit e Realit, ose më saktë presidenti Florentino Perez, mund të vendosë shkarkimin e tij.
Nëse kjo do të ndodhë, atëherë te Reali lind detyra e gjetjes së pasuesit të tij. Presidentit i klubit dëshiron me forcë rikthimin e Jose Mourinhos në pankinë, por nuk janë të këtij mendimi tifozët dhe anëtarët e klubit madrilen. Në fakt, në bazë të një sondazhi të kryer nga mediat në Spanjë, shumica e tifozëve dhe anëtarëve kanë preferuar Zinedine Zidane, i cili aktualisht drejton skuadrën e Real Madrid Castilla.
Francezi ka lënë pas në këtë sondazh pikërisht Mourinhon dhe Wengerin, ndërkohë që ka nga ata anëtarë të Realit të Madridit që shtuan edhe emrin e Pep Guardiolës për pankinën e 10 herë kampionëve të Evropës.
Gjithsesi, fjalën e fundit në lidhje me këtë çështje do ta thotë vetëm një person dhe ai është pikërisht Florentino Perez.
Top Channel