Hiddink prezantohet te Chelsea

24/12/2015 10:40

Chelsea prezanton trajnerin Guus Hiddink. Holandezi e mori drejtimin e kampionëve të Anglisë në një moment delikat për ta, pasi “Blutë” gjenden në vendin e 15 në renditje, me 20 pikë më pak se skuadra kryesuese. Në konferencën për shtyp, Hiddink preferoi të mos deklarojë asnjë objektiv deri në fund të sezonit, ndërkohë që bëri të ditur se tashmë e ka bërë komunikimin me lojtarët.

“Futbollistët duhet të shohin veten në pasqyrë fillimisht. Unë nuk dua që ata të mendojnë më shumë se ç’ duhet për të kaluarën, por nuk mund të injorojnë atë që ndodhi. Gjithsesi, unë u kërkova atyre që të jenë profesionistë dhe të shohin drejt së ardhmes. Dua të bëj vlerësimet e mia në stërvitje dhe në dhomat e zhveshjes. Lojtarët e kanë treguar se çfarë janë në gjendje të bëjnë dhe te ata nuk pashë mungesë motivimi. Por jam këtu në mes të sezonit dhe kjo do të thotë se gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhej. Përsa i përket Mourinhos, nuk e di se çfarë ka fituar në karrierën e tij, por e respektoj shumë”, tha Hiddink.

Holandezi foli edhe për ish-sulmuesin Didier Drogba, që flitet se mund të jetë në rolin e asistentit të holandezit në pankinën e skuadrës londineze: “Kam punuar me Drogbanë disa vjet më parë dhe ai është një legjendë e kësaj skuadre dhe e gjithë botës së futbollit. Do të më pëlqente të punoja me të, por ai ka një kontratë me Montrealin. Të shohim sesi do të zgjidhet kjo çështje”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA