Lewis Hamilton gjithmonë do t’i bindet Mercedesit gjatë garave. Këtë e ka thënë vetë piloti britanik në një intervistë për “Autosport”, duke deklaruar se vendimet që merren kanë të bëjnë me të gjithë. Në tre garat e fundit të sezonit, ishte Rosberg ai që fitoi, por Hamilton e kishte siguruar titullin që në garën e Ostin në Teksas dhe strategjitë që Mercedesi përdori me të ishin ndryshe nga ato të Rosbergut.
“Çështja nuk është nëse janë të drejta vendimet e skuadrës apo jo sepse do të duhet të mendohesh dhe të kuptosh se nuk bëhet fjalë vetëm për pilotin. Ka të bëjë me 1300 persona dhe vendimi im personal mund të ketë impakt te ata. Kështu që nuk vendos i vetëm. Dua të jem i sigurt se bëj gjënë e duhur për të gjithë”, deklaroi piloti britanik.
Gjithsesi, Hamilton e pranoi se në disa momente vuri në dyshim aftësitë e skuadrës së tij në këtë pikë: “Në Meksikë më thanë që gomat nuk do të zgjasin, por jeta e një gome është 70-80 xhiro, kështu që kjo mund të kishte ndodhur dhe unë mund të kisha qëndruar më shumë në pistë. Por, në atë moment stafi nuk e dinte këtë dhe zgjedhja për të bërë pit stop ishte për motive sigurie”.
Top Channel