Botërori i Formulës 1 u mbyll dhe tashmë është koha për të bërë bilancet. Një gjë të tillë e ka bërë edhe Pirelli, kompania italiane e furnizimit me goma të skuadrave të këtij kampionati, nëpërmjet drejtorit sportiv të saj, Paul Hembery.
“Ndërsa përgatitemi për sezonin e gjashtë radhazi në Formula 1, po publikojmë statistikat për vitin 2015, që është bërë një traditë. Ishte një vit në shenjën e evolucionit me skuadrat që vazhdimisht kanë qenë të impenjuara për zhvillimin e makinave të tyre. Si gjithnjë, ishte pjesa e fundit e kampionatit ajo kur u panë edhe zhvillimet më të mëdha, ku gomat u vunë në prova të forta. Ne e arritëm objektivin tonë për kryerjen e 1-2 pit stopeve në gara në një kampionat ku interesi sportiv shpesh ishte në lidhje me strategjitë e përcaktuara nga gomat. Në vitin 2016 do të kemi një tjetër rregullore dhe ne do të vëmë në dispozicion një gomë të re super të butë”, tha Hembery.
Më pas, Pirelli bëri të ditur edhe statistikat për gomat e furnizuara dhe ato të përdorura gjatë këtij viti në Botërorin e Formulës 1. Sipas të dhënave të kompanisë italiane, në total skuadrat e këtij kampionati janë furnizuar me rreth 36 mijë goma, nga të cilat janë përdorur 17580 goma.
Por jo vetëm kaq, Pirelli publikoi të dhëna të tjera edhe në lidhje me parakalimet dhe pit stopet e kryera. Kështu, rezulton se makinat e Formulës 1 gjatë vitit 2015 kanë kryer 509 parakalime dhe 706 pit stope.
Një tjetër e dhënë interesante është ajo e shpejtësisë më të lartë të arritur gjatë këtij sezoni: 366.4 km/h, e shënuar nga Pastor Maldonado në Meksikë, ndërsa Hamilton është ai që ka zhvilluar më shumë xhiro të shpejta, 19.
Top Channel