De Biasi: Donim ta shmangnim Zvicrën

16/12/2015 14:30

Kombëtarja shqiptare do të nisë aventurën e saj në Evropianin e Francës së vitit 2016 në 11 qershor, me përballjen me Zvicrën. Është një ndeshje e cila përjetohet në mënyrë të veçantë nga përfaqësuesja jone, duke parë që në skuadrën helvete ka disa lojtarë me origjinë shqiptare.

Trajneri De Biasi, në një intervistë për “Blick”, bëri të ditur se në të vërtetë ai dhe stafi i tij dëshironin që të evitonin këtë përballje: “Kur mësova për këtë përballje me Zvicrën, mendova: kjo nuk duhej. Kjo sepse nuk e prisnim një gjë të tillë. E thashë edhe përpara hedhjes së shortit që sfida mes Shqipërisë dhe Zvicrës do të ishte e çuditshme për shkak të pranisë së shumë lojtarëve shqiptarë. Idealja për ne do të ishte që ta evitonim atë. Shpresoj që të dyja skuadrat të kualifikohen për më tej”.

I pyetur për reagimet e tifozëve nga Shqipëria, De Biasi theksoi se për të gjithë kjo sfidë është e veçantë, edhe pse ka nga ata që i quajnë tradhtarë ata që luajnë me fanelën zvicerane.

“Për shumë shqiptarë, kjo përballje është e veçantë. Disa prej lojtarëve shqiptarë të Zvicrës konsiderohen si tradhtarë, pasi ata zgjodhën të luajnë me një tjetër përfaqësuese, pavarësisht origjinës së tyre. Gjithnjë e kam theksuar se të gjithë duhet të jenë të lirë të zgjedhin vendin që i ka ndihmuar në karrierë. Vlen të kujtohet se prindërit e këtyre lojtarëve punojnë në Zvicër, kurse ata vetë janë integruar shumë mirë në këtë vend. Ata ndihen zviceranë besoj, por në zemër do të mbeten shqiptarë”, tha De Biasi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA