Botërori i Klubeve, Barcelona pret sfidën me kinezët e Guangzhou

16/12/2015 11:40

Barcelona do të luajë në 17 dhjetor sfidën gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve me Guangzhou.

Skuadra katalanase prej ditësh ndodhet në Japoni, ku po kryen edhe përgatitjet e saj për këtë kompeticion, të cilin do të kërkojë ta fitojë për të tretën herë në historinë e saj, për ta mbyllur vitin 2015 në mënyrën më të mirë të mundshme.

Dilema e vetme e trajnerit Luis Enrique është braziliani Neymar, i cili ka pësuar një dëmtim gjatë një seance stërvitore në Spanjë. Tekniku 45-vjeçar deklaroi se ende nuk e di nëse do ta aktivizojë Neymarin në Botërorin e Klubeve, pasi nuk dëshiron që të rrezikojë me të.

“Neymar po vijon punën për riaftësimin e tij. Ju nuk e keni parë të stërvitet, por kjo nuk do të thotë se nuk e ka bërë këtë. Nuk jam nga ata trajnerë që marrin përsipër të rrezikojnë lojtarë të dëmtuar. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Përpara se të mendojmë për finalen duhet të luajmë gjysmëfinalen”, u shpreh Enrique.

Trajneri i katalanasve theksoi më pas se askush nuk duhet të nënvlerësojë Guangzhou dhe të mos përsëriten gabimet që u bënë edhe në ndeshjen me Deportivon: “Kam përshtypjen se sfida jonë gjysmëfinale nuk do të jetë e lehtë. Nuk duhet të mendojmë se përballë do të kemi kundërshtar të lehtë. Këtu nuk jemi për shëtitje. Ndaj Deportivos luajtëm një futboll të mirë për 75 minuta, më pas e lamë lojën pasi e konsideruam ndeshjen të mbyllur dhe në raste të tilla bëhen edhe gabimet. Të gjithë tifozët e Barcelonës, lojtarët, presidenti dhe unë duam fitoren e këtij titulli. Do të ishte diçka e mrekullueshme. E analizuam Guangzhoun, luan mirë me topin. Ka në përbërje lojtarë që fare mirë mund të luajnë në kampionatin spanjoll. Nuk do ta kemi të lehtë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA