15 pikë në 16 ndeshje të kampionatit janë shumë pak për një skuadër që e niste sezonin si pretendente, por që shumë shpejt e gjeti veten në zonën e ftohtë të tabelës.
Chelsea i Murinho-s pësoi humbjen e nëntë në këtë sezon të Premier Ligës. Surpriza Leicester nuk është më e tillë. Skuadra e drejtuar nga Ranieri fitoi 2-1 në përballjen e prapambetur të javës së 16-të të kampionatit anglez.
Humbja është një lëkundje e fortë për stolin e trajnerit portugez, i cili nuk ngurroi të fajësoi për këtë disfatë lojtarët e tij.
Në fund të takimit ai deklaroi se “është tradhëtuar nga futbollistët e vet, që nuk kanë ndjekur udhëzimet në fushën e lojës”.
“E ndjej se puna ime u tradhtua. Është e vështirë të shënosh gola kur ke lojtarë që nuk janë në nivelin e tyre më të mirë, e sidomos kur bëhet fjalë për ata futbollistë që janë në pozicione kyçe të fushës. Është shumë e vështirë. Sezonin e kaluar bëra një punë fenomenale dhe i solla lojtarë në nivele më të larta nga ai që kanë aktualisht”, deklaroi Mou.
Por kush janë tradhtarët? Një analizë e Goal.com tregon se janë të paktën 3 emra dhe jo emra dosido, por shtyllat e skuadrës së sezonit të kaluar. I pari është Eden Hazard. Belgu është thuajse i fjetur në fushën e lojës dhe nuk ka shfaqur ende asnjë sinjal se ka ndërmend të zgjohet.
I dyti është Cesc Fabregas. Mesfushori spanjoll ishte lideri i ekipit në sezonin e kaluar me asistet, topat e rekuperuar dhe qetësinë e shfaqur në fushën e lojës. Në 16 javët e para të këtij sezoni nuk ka treguar asnjë nga këto.
I treti është Ivanoviç. Mbrojtësi serb, që sezonin e kaluar ishte një nga shtyllat më të forta të prapavijës, këtë nisje sezoni shfaqet ndryshe, më shumë se amator.
Top Channel