Ylli Polovina – Një nga urtësitë e qytetërimit demokratik, mes të tjerash, thotë se një popull duhet të përpiqet t’i mbështesë politikanët e vet, por edhe njëkohësisht duhet të dijë si të mbrohet prej tyre.
Ne, shqiptarët, këtej dhe përtej kufirit tonë formal, ndodhemi bindshëm në këtë gjendje të fundit.
Kronika e ditës së djeshme, jubileut çerekshekullor të 8 Dhjetorit 1990, ditës simbol, ishte një dëshmi e plotë e kësaj. Nisi me një konferencë, ku folën e dërguan mesazhe konstruktivë shtetarë të huaj. Shqiptuan gjykimin e tyre me kulturë edhe dy rivalët realë të politikës shqiptare aktuale, Sali Berisha dhe Edi Rama.
Pjesa e dytë e kronikës së ditës jubilare ishte realizimi i protestës së opozitës. Këtu edhe fillon problemi, pra çështja përse ne shqiptarët jemi “katandisur” të mbrojmë veten nga disa prej politikanëve tanë.
Zgjedhja e 8 dhjetorit 2015 si ditë “revolucioni demokratik”, e “përmbysjes së bijve të etërve”, e “rrëzimit të qeverisë” etj., etj., ishte një përdorim i ngjarjes më simbolike që ka shoqëria jonë e pasdiktaturës. Të gjithë jemi të vetëdijshëm se gjithçka që ndodhi më pas, përfshi edhe hyrjen në NATO apo hapjen e kufijve pa viza për të udhëtuar nëpër vendet e BE-së, i kanë rrënjët atje, më 8 dhjetor 1990. Po aty u çelën mundësitë që të protestohet lirshëm.
Shpërdorimi që iu bë kësaj dite historike të jashtëzakonshme për qëllime të zakonshme ndërrimi grupi qeverisës, lë pas një pasojë të rëndë: nga një referim pozitiv për të gjithë shqiptarët, të djathtët, të majtët ose jopartiakët, proces që vit pas viti duhet të zgjerohet dhe konsolidohet, 8 Dhjetori ngushtohet vetëm te PD-ja, më saktë tek ajo pjesë e partisë që tashmë, edhe për shkak të pluralizmit, është shumë më e vogël dhe më e burokratizuar se fillesa e saj më 11 dhjetor 1990.
Për të përfituar kombëtarisht dinjitetin e 8 Dhjetorit dhe manifestuar shpirt konstruktiv, PD-ja protestën mund fare mirë ta organizonte të nesërmen. Kështu, po të kryente një ngjarje të vërtetë që do t’i tundte themelet kabinetit të tanishëm qeveritar, fitonte hapësirë të re për të bërë histori dhe shtuar trashëgiminë e saj në pjesën pozitive.
Siç ishte paralajmëruar dhe nxitur posaçërisht nga krerë të saj, shkruar nëpër faqet e gazetës së vet, deklaruar me gojë nëpër mbledhje apo intervista, protesta në ditën e papërshtatshme (sepse në fund të fundit historia nuk përsëritet në të njëjtën formë më shumë se njëherë) manifestimi u krye sipas stilit PS-PD të dhjetë e kusur viteve të fundit: para selisë së qeverisë.
Ky “rregull” që duhet përjashtuar një orë e më parë, nuk është vetëm formë e pastër shantazhi, por edhe mënyrë dinake që grupe radikalësh (i organizon vetë ose jo, pak rëndësi ka) të sulmojnë kryegodinën shtetërore. 21 janari 2011 i dikur shefit të opozitës, sot Kryeministër, dhe ajo e 8 dhjetorit 2015, kishin sjellje paqësore prej shumicës së protestuesve, por ndërkohë u njollosën edhe me akte vandale. Më të shprehura me brutalitet qenë ato të qeverisë së atëhershme (katër të vrarë), si edhe të disa manifestuesve opozitarë të 8 dhjetorit të tanishëm. Ndaj bunkerit, këtij investimi artistik në kohën dhe vendin më të paduhur, jo flakët, por gjeste të tjera kundërshtimi do të linin mbresa të mëdha. Më 20 shkurt 1991 u rrëzua vetë monumenti i Enver Hoxhës dhe nuk u përdor asnjë fije shkrepëse.
Flakët prodhojnë lajm, sigurisht, por veç për kamera televizive që regjistrojnë paqëndrueshmërinë tonë të brendshme dhe nuk na e zbardhin, por na e nxijnë faqen.
Boja, vezët, domate të prishura po të keni, por flakët e zjarrit jo!
Një polici korrekte dhe e drejtuar me maturi që askujt prej manifestuesve të mos i hynte gjemb në këmbë, pengimi me profesionalizëm i një përsëritjeje e 21 janarit me jetëhumbur (çfarë ka të ngjarë që po kërkohet për një “baraspeshim” mëkatesh), ishte suksesi i 8 dhjetorit.
Ato që menjëherë në FB shkroi Kryeministri, plot ironi të panevojshme dhe stil irritues, bashkia që nuk duron deri të nesërmen, por pas dy orësh (shpejtësi llogaritjeje që shton dyshimin e saktësisë së saj), i dërgon PD-së fletë dëmshpërblimin, janë pasoja kundërveprimi të politizuar dhe në mos dëshmi arrogance, shenjë nervash të cingërisura në momente kur duhet t’i kenë akull dhe të shpejtojnë gjendjen e qetësimit.
Kështu, dita e 8 Dhjetorit jubilar, me një konferencë me pjesëmarrje të ngushtë dhe një protestë masive, u duk sikur do të mbyllej pa na lënë ndonjë barrë tjetër.
Por nuk ishte e thënë: u rishfaq Presidenti.
Këtë herë, faqja e tij zyrtare njoftonte se pikërisht këtë ditë i kishte dhënë një dekoratë shumë të lartë Sali Berishës.
Nuk priste kjo punë, nuk mund të bëhej më parë, nuk mund të shtyhej në një ditë më të qetë nga tensioni ndërpartiak? Presidentët, për këto aftësi të fundit, frymën e moskonfrontimit, janë mjeshtër.
Pastaj Berisha, i cili ka meritat e tij historike në shembjen e diktaturës dhe në mëkëmbjen (edhe pse me plot probleme) të shtetit të ri të pas komunizmit, në 8 Dhjetor 1990 ishte ende në statusin e të dërguarit special të partisë moniste te protesta studentore, madje edhe me teserën e PPSH-së në xhep. Hyrja e tij si kritik i regjimit dhe alternativ qeverisjeje për Shqipërinë pluraliste, u bë ditë më vonë. Me pak fjalë, ai nuk ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore. Ai u shndërrua më tej, shumë shpejt, në prijës të Partisë Demokratike.
As vetë Presidenti në ditën e madhe historike të 8 Dhjetorit, nuk ishte me këtë Lëvizje Demokratike. Dihet se ku ishte edhe dy-tri muaj më vonë.
Sikur t’ia linim popullit shqiptar këtë ditë të shenjtë, përderisa ai ishte atje me të vërtetë?
Gazeta “Shqip”
Top Channel