Policia në Sidnei të Australisë ka arrestuar dy të rinj, të moshës 15 dhe 20 vjeç, pas dyshimeve të forta se ata kishin planifikuar të kryenin sulme terroriste.
Policia Federale tha se dy të rinjtë e arrestuar mëngjesin e së enjtes kanë lidhje me 16 personat e arrestuar në shtatorin e vitit të kaluar, të cilët ranë në pranga pas një operacioni të gjerë ku morën pjesë mbi 800 forca policore të armatosur rëndë, në atë që u cilësua si operacioni më i madh antiterrorizëm në Australi.
Autoritetet vendase thanë se arrestimet e së enjtes nuk ishin të lidhura me një komplot të ri, por në provat e gjetura gjatë bastisjes së fundit bëhet fjalë për sulme ndaj ndërtesave qeveritare, si dhe ndaj forcave të policisë.
“Është shqetësuese që ne vazhdojmë të merremi me adoleshentë në këtë situatë të krijuar”, tha zëdhënësi i policisë, i cili konfirmoi për njërin prej të arrestuarve të enjten se ka prova bindëse për radikalizimin e tij.
“Për të vënë para gjykatës një 15-vjeçar, mbi të cilin rëndojnë akuza shumë të rënda që mund të çojnë deri në burg të përjetshëm, përballemi me vështirësitë e zbatimit të ligjit”, tha zëdhënësi i policisë.
Top Channel