Presidentja në ikje e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner ka bërë një fjalim lamtumire tepër emocionues para mbështetësve të saj në Buenos Aires.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mbushin rrugët nëse ndihen të tradhëtuar nga qeveria e re e qendrës së djathtë.
Duke folur para disa dhjetëra mijëra simpatizantëve të mbledhur jashtë pallatit presidencial La Casa Rosa, zonja Kirchner mbrojti arritjet e saj.
“Ne besojmë në atë që kemi arritur, ndaj duhet të sigurohemi që këto gjëra të mos shkatërrohen. Kur të ndjeni që ata të cilët u keni dhënë besimin dhe votën ju kanë tradhëtuar, merrni flamurin”, tha Kirchner.
Ajo pritet të anashkalojë ndërkohë ceremoninë e betimit të pasardhësit të saj, pasi u përfshi me të në një debat mbi vendin ku do të zhvillohet ceremonia.
Kjo do të jetë hera e parë që nga fundi i diktaturës ushtarake të Argjentinës, në vitin 1983, që një president nuk ndjek ceremoninë e përurimit të pasardhësit.
Konservatori Mauricio Macri, që fitoi zgjedhjet me balotazh muajin e kaluar, pritet të bëjë betimin më vonë gjatë ditës.
Zoti Macri trashëgon një sërë problemesh, mes të cilëve inflacionin e lartë dhe nivelin e ulët të rezervave me valutë të huaj. Por lideri i ri i Argjentinës ka premtuar një epokë të re ndryshimi dhe pajtimi.
Top Channel