Greqia, Egjipti dhe Qipro kanë rënë dakord për të përshpejtuar bashkëpunimin në sektorët e energjisë dhe të sigurisë, si dhe të përshpejtojnë bisedimet për demarkacionin e kufijve detarë në Mesdheun lindor, si pjesë e përpjekjeve për ta kthyer rajonin në një qendër të hapur detare të gazit natyror.

Marrëveshja është arritur gjatë një takimi trepalësh në Athinë midis kryeministri grek Aleksis Tsipras, presidentit qipriot Nikos Anastasiadhis dhe atij egjiptian Abdel Fatah al-Sisi.

“Tre vendet tona ndodhen në një rajon të trazuar, një rajon që karakterizohet nga një destabilizim në rritje dhe që është përballur me sfida të mëdha. Brenda këtij kuadri ekzistues, bashkëpunimi ynë trepalësh është një shtyllë e paqes dhe stabilitetit”, deklaroi Tsipras.

Një komision i përbashkët trepalësh do punojë mbi projektet e turizmit, investimeve dhe energjisë. Gjithashtu ai do të shqyrtojë mundësinë për gazsjellës të rinj në rajon, në varësi të nivelit të rezervave në Mesdheun lindor, megjithëse, sipas ekspertëve, sasia e gazit në bazë të matjeve paraprake nuk premton për një gazjellës drejt Europës.

“Unë dua të shpreh mirënjohjen time për të gjitha hapat pozitivë të ndërmarrë gjatë këtij bashkëpunimi trepalësh mes Egjiptit, Greqisë dhe Qipros në lidhje me shumë sektorë të ndryshëm premtues, midis tyre energjia, turizmi dhe marina, ku ne parashikojmë bashkëpunim të plotë që do të jetë në favor të popujve tanë, për një të ardhme më të mirë”, deklaroi Al Sisi.

Kryeministri Tsipras tha gjithashtu se përcaktimi i kufijve detarë nuk synon të përjashtojë vendet e treta, duke iu referuar Turqisë, me të cilën të tre shtetet kanë kontradikta. Egjipti ka konflikte me Turqinë që kur Al Sisi udhëhoqi në vitin 2013 një grusht shteti ushtarak që rrëzoi presidentin Morsi të Vëllazërisë Myslimane, që mbështetej nga Ankaraja.

Gjithashtu, prej zbulimit të rezervave të gazit natyror nga Nikosia, Ankaraja kundërshton shfrytëzimin e tyre ekskluzivisht vetëm nga Qipro, duke kërkuar përqindje si pjesë të shtetit të Qipros së Veriut, i njohur vetëm nga Turqia.

Kontradikta për zonën ekskluzive ekonomike dhe mosmarrëveshje për dekada të tëra mbi kufijtë e tokës, ajrit dhe detit, Ankaraja ka edhe me Athinën, sidomos për rezervat detare të Mesdheut, ndaj dhe midis dy shteteve nuk është arritur kurrë një demarkacion detar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA