Policia franceze ka identifikuar personin e tretë, që hodhi veten në erë në sallën e koncerteve “Bataclan”, gjatë sulmeve të 13 nëntorit në Paris.
Duke cituar burime të forcave të rendit, agjencia e lajmeve “AFP” dhe gazeta “Le Parisien” thonë se, bëhet fjalë për 23-vjeçarin Fouad Mohamed-Aggad, nga Strasburgu.
Ndërsa pjesët e “puzzle”-it të madh të ngjarjes tronditëse të një muaji më parë po mblidhen ngadalë, të dhënat e përfituara deri më tani tregojnë se, nga fundi i 2013-s Aggad kishte udhëtuar në Siri, si pjesë e një grupi të rinjsh të radikalizuar.
Një pjesë e anëtarëve të grupit në fjalë u prangosën fill pas kthimit në Francë, por ai që do të kthehej më vonë në njërin prej kamikazëve të “Bataclan”-it, i shpëtoi asokohe burgut. Dy agresorë të tjerë të vetëvrarë në teatrin e mbushur me njerëz, ku perfomonte grupi amerikan “Eagles of Death Metal”, janë identifikuar si francezi Omar Ismail Mostefai, 29 vjeç, dhe 28-vjeçari Samy Amimour.
90 jetë u shuan në “Bataclan” muajin e kaluar. Mostefai u zbulua nga një pjesë gishti e gjendur në vendngjarje. Ai mësohet të ketë punuar dikur në një bankë, në “Chartres” pranë Parisit, por në 2010-n autoritetet e shpallën të dyshuar si ekstremist.
Amimour, nga ana tjetër, vinte prej lagjes verilindore “Drancy” të kryeqytetit francez. Tri vite më parë, ai ishte akuzuar për lidhje me terrorizmin në bazë të pretendimeve se ishte duke planifikuar një udhëtim në Jemen. Por me t’u vënë nën mbikëqyrje gjyqësore, i riu u zhduk dhe autoritetet lëshuan një urdhërarresti ndërkombëtar në emër të tij.
Që prej sulmeve të Pparisit, një ndjesi cënueshmërie mbizotëron tashmë në mbarë Europën. Shpërthimet e të shtënat në kryeqytetin francez treguan se, siguria në kontinentin e vjetër nuk është aq e palëkundshme, e masat e forta që u morën gjatë muajit nëntor në shtete të ndryshme e përforcuan edhe më shumë këtë ide.
Roma nisi instalimin e detektorëve të metaleve pranë Koloseumit, pasi FBI-ja identifikoi një sërë monumentesh italiane si shënjestra të mundshme të terrorizmit; Brukseli anuloi festivalin studentor që mbahej përvit në qendër të qytetit; një prej terminaleve të Aeroportit të Kopenhagenit u mbyll pas gjetjes së një pakoje të dyshimtë; Suedia ngriti në mbarë vendin nivelin e alarmit, nxitur nga njoftimet e shërbimeve të inteligjencës mbi një sulm të planifikuar atje; e njëjta arsye që çoi atëherë edhe në pezullimin e ndeshjes së futbollit Gjermani-Holandë në Hanover.
Top Channel