Në kuadër të 25-vjetorit të Lëvizjes Studentore në Shqipëri, por edhe të shembjes së sistemit komunist po organizohen një sërë aktivitetesh që përkujtojnë këtë ngjarje të rëndësishme të historisë sonë të afërt.
Një grup intelektualësh shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pjesë e Forumit “Rrethi i Ferrit” kanë nisur një sërë aktivitetesh në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.
I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte Grid Rroj, doktorant i Shkencave Politike në Universitetin e Nju Jorkut në Manhatan dhe autor i librit “Paria e Rrethit të Ferrit”, kushtuar tranzicionit në Shqipëri. Fillimisht ai foli për forumin dhe aktivitetin e tij dhe më pas dha edhe disa alternativa se si Shqipëri mund të dalë nga tranzicioni. Kur u pyet nëse ky cikël takimesh i paraprin një lëvizje të re politike, ai tha se ky nuk është objektiv i forumit, por e mbylli me shprehjen “kurrë mos thuaj kurrë”.
Pandi Gjata: Ju keni nisur aktivitetet e para në Tiranë në kujtim të 25-vjetorit të Lëvizjes Studentore, cili ishte qëllimi i ardhjes në Shqipëri?
Grid Rroji: Aktiviteti i Forumit Intelektual “Rrethi i Ferrit” ka filluar disa muaj përpara zgjedhjeve të 2013-ës dhe ka qenë një angazhim publik i një grupi intelektualësh për të pasqyruar realitetin e vërtetë të shoqërisë shqiptare, të politikës shqiptare në përgjithësi. Të gjithë pjesëtarët që kemi ardhur për të bërë këto aktivitete kemi përmbledhur të gjitha shkrimet tona gjatë asaj periudhe në një libër. Kjo është një përpjekje e jona për të thënë të vërtetën shqiptarëve, të cilëve nuk iu thuhet, që gjatë këtyre 25 viteve ata janë sunduar nga një pari, e cila është e përbërë nga një grup ish-funksionarësh të lartë të sistemit të kaluar, e plotësuar me një numër nga profesorati dhe intelektualësh që iu bashkuan asaj dhe në bashkëpunim me pari lokale. Me anë të një sistemi oligarkik, kleptokratik dhe duke përdorur struktura kriminale dhe duke pasur mendësinë e strukturave kriminale, kanë arritur që ta bëjnë Shqipërinë sot një vend të ngjashëm me “rrethin e ferrit”.
Pandi Gjata: Ju e përkufizoni me rrethin e ferrit, por kanë kaluar 25 vjet dhe ne na duket sikur ato përmbysje të mëdha kanë ndodhur dje dhe i kujtojmë shpesh. Ju e shikoni nga jashtë këtë situata, a ju duket më bardhezi se ne në Shqipëri?
Grid Rroji: Së pari, nuk mendoj se është vetëm çështje perspektive nga brenda ose nga jashtë, por ajo që ka rëndësi është se gjykimi mbi realitetin shqiptar duhet të vijë jo me atë që është bërë, por me atë që mund të ishte bërë në krahasim me atë që kanë bërë vende të ngjashme me realitete të ngjashme me kushtet tonë. Në Shqipëri po bëhet përherë e më e qartë se realiteti është fort i zymtë, sistemi politik është i dështuar dhe çon në përplasje të herë pas hershme, viti ’97; sistemi ekonomik është i kapur nga një grup oligarkësh. Nga të dhënat e fundit diku te 5 përqind e njerëzve në Shqipëri kontrollojnë mbi 90 përqind të të ardhurave të kombit shqiptar dhe sistemi shoqëror është i zvetënuar. Paria e Tiranës ka shfrytëzuar anët më të errëta të mendësisë katundare dhe ua ka imponuar shqiptarëve si një realitet normal, duke na thënë se kështu është në të gjithë botën dhe ne duhet të sillemi në këtë mënyrë. Tani kjo po bëhet edhe më e qartë se ky sistem ka dështuar dhe kjo nuk është rruga drejt zhvillimit të Shqipërisë, por kjo është rruga drejt greminës.
Pandi Gjata: Ju si forum i intelektualëve në atë që e keni quajtur “Rrethi i Ferrit” keni bërë një sërë analizash për të tashmen, por edhe për të shkuarën të këtyre 25 viteve. Pse zgjati kaq shumë tranzicioni te ne? Mendësia ballkanase, mendësia shqiptare…
Grid Rroji: Nuk do të isha dakord thjesht me mendësinë. Mendësia është thjesht një pjesë e problemit. Unë do të thosha që ajo që është kryesore në zgjatjen e këtij tranzicioni është drejtimi që ka marrë shteti gjatë kësaj periudhe. Tashmë paria e ka kuptuar që është shumë më e thjesht që shqiptarët të sundohen nëpërmjet kapjes së shtetit dhe ky ka qenë problemi themelor. Gjithashtu është po aq e qartë se palët e parisë nuk kanë dallime. Paria nuk është thjesht një koncept teorik, pasi këta janë njerëzit që kanë ndërtuar Shqipërinë për 25 vite dhe këta kanë emra dhe mbiemra dhe këta kanë qenë drejtues të shtetit shqiptar, këtu nxora konkluzionin se shteti është pikë kyçe këtu. Këta janë: Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta, Lulzim Basha, etj, dhe të gjithë njerëzit që janë rreth tyre përdoren për qëllimin e pasurimit të shpejt.
Pandi Gjata: Ju i përmendët të gjithë aktorët kryesorë, atëherë sipas jush, kush është zgjidhja?
Grid Rroji: Njëra nga pikat e parisë së Tiranës ka qenë që të mos lejojë asnjë lloj zgjedhje alternative ndaj saj. Pra, zgjedhjet kanë qenë të përkohshme dhe një rotacion brenda palëve të saj. Zgjidhja duhet të bazohet në disa parime që nuk do t’i përmend të gjitha këtu, por vetëm disa pika kryesore. Ne mednojmë se zgjidhja e vetme për Shqiptarët është ajo që bazohet në botkuptimin e shtetit të kombit shqiptar. Së dyti, zgjidhja për shqiptarët është vendosja e një demokracie të vërtetë, e një sistemi demokratik të përzgjedhjes së drejtë të drejtuesve të shtetit, e cila të ketë shtrëngesa jashtëzakonisht të forta në të gjitha nivelet për të parandaluar çdo lloj abuzimi. Së treti, në Shqipëri duhet të vendoset një sistem i vërtetë drejtësie, ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit dhe të mos ketë një drejtësi për shqiptarët dhe një drejtësi për parinë, ashtu siç është sot. Në këtë kuadër, duhet gjithashtu të ngrihet një strukturë e veçantë për të dënuar krimet e të kaluarës, çdo pushteti të së kaluarës. Duhet të jemi të qartë se gjatë kësaj periudhe është kryer një krim ndaj shqiptarëve dhe për ditë e më tepër ne po ndërgjegjësohemi.
Pandi Gjata: Pra, ju po thoni jo me këtë klasë politike?
Grid Rroji: Objektivi ynë ka qenë që ne të fillojmë dhe të themi të vërtetën në mënyrë që njerëzit të ndërgjegjësohen për këtë realitet, i cili është i fshehur dhe realiteti që na paraqet paria e Tiranës është një realitet fals, është një realitet që bazohet në një mendësi që nuk është kurrkund në asnjë shtet të zhvilluar të botës. Shtet më të zhvilluara të botës e kanë bazuar zhvillimin e tyre në shtetin komb në një kapitalizëm ku ka rregulla dhe ka kode dhe jo në një kapitalizëm të tipit “engelsian” që ka dalë nga mendjet e parisë së Tiranës.
Pandi Gjata: A mendoni se të gjithë shqiptarët në Ballkan janë njësoj? Ata të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi apo edhe ata të Preshevës…
Grid Rroji: Vënia e fajit shqiptarëve është edhe ajo një teknikë e parisë së Tiranës. Shqiptarët kudo që shkojnë, jashtë kornizës ku nuk sundohen nga pari shfrytëzuese, shqiptarët janë jo vetëm brenda kornizave ligjore, por janë edhe shumë të suksesshëm. Këtu problemi nuk janë shqiptarët, por problemi është paria. Për sa i përket krahasimit me trevat e tjera shqiptare ka një fenomen që është jashtëzakonisht shumë i dëmshëm që klasat drejtuesve të shqiptarëve jashtë territorit të Shqipërisë londineze kanë kopjuar fatkeqësisht teknikat korruptive dhe sunduese të parisë së Tiranës.
Pandi Gjata: A i paraprin një lëvizje të re politike ky cikël takimesh i forumit, që ju keni krijuar tashmë prej muajsh?
Grid Rroji: Kjo është një mënyrë për të kornizuar ndërgjegjësimin e njerëzve. Jo çdo çështje mund të shtrohet në pikëpamjen e veprimit politik, kjo është mënyra që ka paria e Tiranës për të kornizuar dhe anatimuar çdo lloj gjëje që del jashtë kornizës së saj. Ne jemi intelektual, kemi angazhimet tona dhe synojmë ta arrijmë hap pas hapi ndryshimin. Ndryshimi i vërtetë do të vijë, atëherë kur gjithsecili nga ne të njohë të keqen. Nga njëra anë kemi parinë e Tiranës dhe nga ana tjetër kemi shqiptarët, të gjithë së bashku si popull, ndasitë e tjera të krijuara janë krejtësisht artificiale. Jemi në vitin 2015 dhe paria ende na thotë se ka dasi komunist, antikomunist. Komunizmi ka “vdekur” në vitin 1991. Duke qenë se këto janë dasi artificiale, dasia kryesore është pari dhe shqiptarë.
Pandi Gjata: Ajo që ju po thoni është se ky është hapi i parë dhe lëvizja politike do të vijë më pas?
Grid Rroji: Jo, ne kemi ardhur si akademikë si shkollarë. Ne kemi disa aktivitete të tipit akademik. Kemi një takim të hapur për njerëzit dhe për median në hotel “Teranda” të premten në ora 10:00, gjithashtu kemi edhe disa takime nëpër rrethe. Të enjten, në datën 10 në Elbasan , ndërsa nesër në orën 17:00 në Shkodër. Ajo që unë po them është se angazhimi jon është për të treguar të vërtetën dhe për të mundësuar ndërgjegjësimin e shqiptarëve një nga një, hapat e tjerë jo detyrimisht duhet të kalojnë. Për t’ju përgjigjur shprehjes tuaj, amerikanët kanë një shprehje, “never say never”, (kurrë mos thuaj kurrë”, por ky nuk është objektivi i forumit.
Top Channel