Vlahutin: Reforma në drejtësi, si protestat e 1990-s

07/12/2015 14:50

Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin i ka konsideruar të ngjashëm për nga rëndësia realizimin e reformës në drejtësi dhe lëvizjen studentore të 25 viteve më parë kundër regjimit komunist.

Duke sugjeruar guxim, ambasadorja Vlahutin theksoi se reforma nuk do të ndalet pasi është e vetmja rrugë që Shqipëria të bëhet si Europa.

“25 vjet më parë njerëzit thanë ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Ky është thelbi i refromës. 25 vjet më parë duhej shumë më tepër guxim për të dalë në rrugët e Tiranës për të kërkuar liri, sesa duhet sot për të realizuar këtë reformë. Prandaj, nuk ka justifikime dhe të gjithë ata që mendojnë se me arrogancë, manipulime apo lobime agresive do ta ndalojnë këtë proces, janë të gabuar”, deklaroi Vlahutin.

Përpara studentëve të Magjistraturës, Vlahutin nënvizoi se reforma nuk po bëhet kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, por për prokurorët dhe gjyqtarët, në mënyrë që të ndiqet vetëm një autoritet, ai i ligjit dhe i së vërtetës.

“Është koha që brezi juaj te përfundojë atë që studentët nisën 25 vjet më parë. Ajo përpjekje nuk ka mbaruar ende. Dhe mos kini frikë, veçanërisht mos kini frikë nga ata që duan të besoni se janë të paprekshëm. Të paprekshëm nuk ka”, theksoi Vlahutin.

Ambasadorja vlerësoi tryezat me publikun në të cilat duhet të informohet publiku, pasi në demokraci, sipas saj, dialogu është thelbësor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA