Golden State nuk ka ndërmend të ndalë aspak hapin e tij në NBA. Skuadra e Warriors shënoi fitoren e 22 radhazi në kampionatin amerikan të basketbollit dhe këtë radhë ajo mposhti Brooklyn Nets në fushën e këtij të fundit, 114-98.
Stephen Curry u bë sërish protagonist për kampionët në fuqi, edhe pse nuk pati një fillim të mirë të takimit. Fenomeni nga Akron në periodën e tretë ishte i papërmbajtshëm duke shënuar 16 nga 28 pikët e tij në total në këtë ndeshje. Për Nets ishte e pamundur t’i rezistonte lojës së Golden State, që në këtë sezon nuk po tregon aspak mëshirë për asnjë prej rivalëve me të cilët përballet.
Ndërsa Golden State vijon fluturimin në NBA, krejtësisht e kundërta ndodh për Los Angeles Lakers. Skuadra kaliforniane pësoi një tjetër disfatë, këtë radhë ndaj Detroit Pistons me rezultatin 91-111, duke regjistruar humbjen e 17 sezonale. Fillimi i takimit ishte i gjithi për Kobe Bryant, për të cilin kjo ishte vizita e tij e fundit në Detroit, duke qenë se në fund të sezonit ai do të tërhiqet nga basketbolli. Më pas, gjithçka foli për Pistons, që ishin dominues në lojë kundrejt kundërshtarëve të tyre.
Coldwell Pope me 22 pikë dhe Drummond me 15 topa në tabelë ishin ata që udhëhoqën Detroit drejt fitores së 12 sezonale, që e mban atë në vendin e 8 në Konferencën e Lindjes.
Në ndeshjet e tjera të NBA, Memphis Grizzlies fitoi me Phoenix Suns 95-93, Dallas Mavericks mundi Washington Wizards 116-104, ndërsa Oklahoma City Thunder mposhti Sacramento Kings 98-95.
Top Channel