Robert Lewandowski është në orbitën e Realit të Madridit. Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja spanjolle “AS”, sipas së cilës, agjenti i sulmuesit polak, Cezari Kucharski, ishte i pranishëm në shkallët e “Santiago Bernabeu”-t për të ndjekur sfidën mes Realit dhe Getafes, së bashku me familjarët dhe një mikun e tij.
Ajo që të bën përshtypje është se Kucharski ishte ulur përkrah Florentino Perezit dhe Jose Angel Sanchezit dhe kjo ka bërë që të mendohet për vendosjen e mundshme të kontakteve mes tij dhe drejtuesve të klubit spanjoll për një transferim të Lewandowskit në Madrid.
Por situata është disi e komplikuar. Bayern Munchen dëshiron që Lewandowski të rinovojë kontratën e tij që skadon në verën e vititi 2019. Ideja e klubit gjerman është që ta shndërrojë sulmuesin në futbollistin më të paguar në skuadër, por agjenti i Lewandowskit duket se do ta refuzojë ofertën e parë të Bayern. Reali i Madridit do të shpresojë pikërisht nga kjo gjendje dhe do të presë që Bayern të kuptojë dëshirën e polakut për t’u larguar, për të bërë më pas tentativën e tij për blerjen e futbollistit.
Aktualisht, Lewandowski përfiton te Bayern 10 milionë euro në sezon, gjë që do t’i detyrojë madrilenët që t’i ofrojnë atij një kontratë me 12 milionë euro në sezon.
Kalimi i mundshëm te Reali i Madridit do të pëlqehej shumë nga tifozeria e kësaj skuadre, por edhe nga vetë Lewandowski, me sulmuesin polak që e sheh Bernabeun si arenën më të mirë për të synuar edhe trofe individualë siç është Topi i Artë. Efekti mediatik që ka Reali i Madridit do t’i japë atij mundësinë që të jetë përkrah Messit, Ronaldos, Neymar apo Suarez në garën për çmimin më të lakmuar nga futbollistët.
Top Channel