Viti 2015 do të mbahet mend gjatë nga të gjithë tifozët e futbollit në Shqipëri. Kombëtarja jonë shënoi një arritje historike duke u kualifikuar për në fazën finale të Euro 2016, gjë që ndodh për herë të parë në historinë e saj. Kuqezinjtë e drejtuar nga Gianni De Biasi prej kohësh kanë tërhequr vëmendjen e medias botërore, që nuk ka ngurruar të bëjë vlerësimet e saj. Agjencia e lajmeve Reuters ka bërë një profil për skuadrën shqiptare, ashtu sikurse edhe për çdo skuadër tjetër të kualifikiuar në Euro 2016, në prag të shortit që do të hidhet javën e ardhshme në Paris.
“Shqipëria u kualifikua për herë të parë në fazën finale të një aktiviteti futbollistik. Ajo u rendit në vendin e dytë në Grupin I me 14 pikë, 7 më pak se Portugalia, por 2 më shumë se Danimarka. Futbollistët kyç të kësaj skuadre luajnë jashtë vendit, kryesisht në Itali, Gjermani dhe Zvicër. Fakti që ata luajnë në kampionate të një niveli më të lartë se ai në Shqipëri e ka ndihmuar shumë kombëtaren. Fushata kualifikuese përfshiu edhe ndeshjen e ndërprerë të Beogradit me Serbinë, pas dhunës së shpërthyer nga tifozët serbë me t’u shfaqur droni me banderolën me simbolin e Shqipërisë së madhe. Pas këtij incidenti, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i dha pikët pikërisht skuadrës shqiptare”, shkruan Reuters.
Agjencia Reuters nuk la pa përmendur edhe trajnerin De Biasi, atë që e udhëhoqi skuadrën tonë drejt këtij suksesi të jashtëzakonshëm: “Gianni De Biasi nuk kishte drejtuar kurrë më parë një skuadër kombëtare përpara se të merrte përsipër të drejtonte Shqipërinë në vitin 2011. Këmbëngulja e tij për të përfshirë plotësisht të gjithë lojtarët u përshtat mirë me një skuadër të re dhe të uritur për sukses ndërkombëtar. De Biasi pati avantazhin se Federata Shqiptare e Futbollit e la të lirë të ndërtonte një skuadër fituese. Trajneri italian beson se skuadra që ai drejton është përmirësuar, por do të befasonte të gjithë nëse ajo e kalon fazën e grupeve”.
Por cila është perspektiva e skuadrës shqiptare? Sipas Reuters, gjithçka do të varet nga mënyra sesi De Biasi do ta forcojë skuadrën me të cilën ai ka bërë disa herë eksperimente gjatë kualifikueseve, duke ndryshuar shumë lojtarë. “Ne ia dolëm për të arritur deri këtu, pse të mos provojmë kualifikimin e mëtejshëm? Duhet të luftojmë për të”, është fraza që tregon shpirtin e kësaj skuadre.
Duke parë se shumë shqiptarë jetojnë në Evropë, kuqezinjtë mund të jenë të sigurt se gëzojnë mbështetjen e madhe të tyre dhe askush nuk duhet t’i nënvlerësojë ata. Gjatë kualifikueseve ata luajtën me Francën duke barazuar në Francë dhe fituar në Shqipëri.
Top Channel