Bekim Çollaku – Zhvillimet aktuale politike në Kosovë, bllokimi i punës së Kuvendit të Republikës përmes përdorimit të mjeteve të dhunës nga partitë opozitare, kryerja e veprave penale të qëllimshme nga deputetët, me qëllimin e vetëm që të detyrojnë policinë dhe prokurorinë për arrestimin e tyre, vetëm sa e përshkallëzon edhe më shumë situatën e rëndë në Kosovë.
Fatkeqësia qëndron te fakti se kjo dhunë po rrënon shtetin e Kosovës, si në aspektin e brendshëm, por edhe më shumë në atë ndërkombëtar.
Pasojat e kësaj dhune do të jenë afatgjata, ndërsa në planin afatshkurtër, rrezikojnë shtyrjen e vendimit për liberalizimin e vizave dhe pamundësojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Përkundër faktit që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, në këto rrethana ne nuk mund të kërkojmë nga BE-ja të na mundësojë lëvizjen e lirë dhe pa viza për qytetarët e Kosovës, në këmbim të dhunës, e cila gjenerohet. Prandaj, alarmi për ta ndalur dhunën dhe për ta ndryshuar këtë realitet të hidhur, është shumë më urgjent nga sa duket në shikim të parë.
Natyrisht, preteksti për një dhunë të tillë kundër institucioneve shtetërore nuk ka ekzistuar kurrë, përpos në mendjen e atyre që dëshira për marrjen e pushtetit u ka turbulluar të menduarit racional. Sidomos nuk mund të flitet për pretekste të tilla pas tubimit simbolik të opozitës të 28 nëntorit. Them kështu, sepse ky tubim, edhe pse i organizuar gjoja në mbrojtje të Republikës, vërtetoi të kundërtën. Mjafton të rikujtojmë se sa e dhembshme ishte të dëgjosh thirrje kundër çdo vlere shtetërore të Republikës sonë, duke filluar nga fyerjet për flamurin shtetëror, himnin, Kushtetutën e gjithçka tjetër. Dhe nuk u mjaftuan me kaq, por shkuan edhe një hap më larg, duke cilësuar si “tradhtar” të gjithë ata që shërbejnë në institucionet shtetërore. Madje, kërcënuan të gjithë zyrtarët shtetërorë se nuk do t’i lënë të qetë as në jetën e tyre private, nëse nuk i nënshtrohen diktatit të opozitës.
Ndërsa, kur jemi te Policia e Kosovës, partitë opozitare pa fije turpi vazhdojnë të krahasojnë veprimet ligjore të domosdoshme të policisë, me ato që i ka bërë regjimi i Millosheviçit. Po si ka mundësi që opozita jonë të nxjerrë përfundime të tilla, duke e ditur që mbi 50% e pjesëtareve të policisë janë ish-ushtarë të UÇK-së? Por edhe sikur të ishte ndryshe, a nuk jemi duke folur për motrat dhe vëllezërit tanë?
Dhuna që po përdoret po ndodh nën vëzhgimin e qindra objektivëve të kamerave dhe opinionit publik. Nuk mund ta fshehë askush. Dhuna e ka zanafillën e saj te veprimet e dhunshme dhe kundërligjore të opozitës. Ndërsa, veprimet që pasojnë nga organet e zbatimit të ligjit, janë veprime ligjore të bazuara në ligjet që i ka votuar edhe vetë opozita. Thjesht fare; nëse deputetët dhe militantët e partive opozitare nuk kryejnë vepra penale të sanksionuara me ligj, asnjë nga ata nuk ka arsye të arrestohet. Ndërsa, në rast se ata duan të kryejnë vepra penale me vetëdije për kauzën e tyre politike, atëherë duhet të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqiten vetë përpara organeve të drejtësisë dhe jo të arratisen. Pra, opozita me qëllim të qartë shkakton dhe dhunën, duke e ditur që do të ndëshkohet nga organet e drejtësisë. E bëjnë këtë, si përpjekje për t’i mbushur mendjen popullit se janë “viktima” dhe se pushteti po i “persekuton”.
Krejt kjo çfarë po ndodh është një gabim dhe zhgënjim tepër i madh. Pretekste për përdorimin e dhunës nga partitë opozitare nuk ekzistojnë. Dy pretekstet, mbi të cilët opozita gjeneron dhe mundohet të arsyetojë dhunën, nuk janë duke u zbatuar në Kosovë. Për më tepër, ato nuk do të zbatohen kurrë në rast se Gjykata Kushtetuese (dhe jo opozita) vendos se parimet e Asociacionit janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Nuk do të zbatohet as marrëveshja për demarkacion, në rast se çfarëdo trupe e përbashkët (i përbërë edhe me ekspertë të opozitës dhe atyre ndërkombëtarë) vjen në përfundim se ka pasur gabime gjatë këtij procesi.
Fundja, kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës për t’u bërë e plotfuqishme. Prandaj nuk ka arsye për dhunë dhe panik. Askush nga deputetet e Kuvendit të Kosovës (duke përfshirë edhe ata të opozitës) nuk do ta votonte kurrë një marrëveshje, e cila do të mund të cenonte tërësinë territoriale të Kosovës. Thënë troç, Serbia kurrë nuk do të mund të kthehet në Kosovë me praninë e saj policore, ushtarake dhe as politike. Ajo mund të kthehet vetëm në mendjen e atyre që e kanë humbur orientimin në kohë dhe hapësirë. Ndërsa, tërësia e territorit të shtetit tonë nuk do të tkurret, sepse vetë shteti nuk do të lejojë një gjë të tillë.
Krejt në fund, më lejoni që të sqaroj një fakt tepër të rëndësishëm. Serbia që nga fillimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, vazhdimisht ka theksuar se “shumë më tepër do të preferonte që këtë dialog ta bënte me Shqipërinë dhe jo me Kosovën”. Mbani mend mirë këtë! Nuk ka si të jetë ndryshe; Serbinë nuk e pengon ekzistenca e Shqipërisë, qoftë e madhe apo në kufijtë e tanishëm. Serbinë e pengon vetëm ekzistimi i shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës.
Prandaj secili nga ne duhet t’i vërë gishtin kokës dhe të mendojë mirë se cilët veprime e mbrojnë dhe cilët e rrezikojnë shtetin tonë. Unë ende besoj se pozita dhe opozita e duan shtetin që e kemi ndërtuar të gjithë së bashku më shumë se çdo gjë tjetër. Por na mbetet edhe një gjë e vogël për ta bërë: ta dëshmojmë që e duam Kosovën shtet të pavarur dhe sovran! Kjo bëhet duke përjashtuar veprimet e dhunshme si mjet për arritjen e qëllimeve politike (qofshin ato edhe zgjedhjet e parakohshme) dhe duke u ulur në dialog të pakushtëzuar për adresimin e shqetësimeve të përbashkëta.
*Ministër i Integrimit Europian në qeverinë e Kosovës
Top Channel