Policitë europiane janë vënë në kërkim të dy të dyshuarve të rinj të akuzuar se kanë ndihmuar të dyshuarin kryesor të sulmeve të Parisit, Salah Abdeslam.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e një prokurori belg, sipas të cilit dy të kërkuarit janë “të armatosur dhe të rrezikshëm” dhe mendohet se kanë ndihmuar Abdeslam të udhëtojë për në Hungari në shtator.
Hetuesit deklarojnë se Abdeslam mund të ketë udhëzuar atentatorët vetëvrasës tek Stadiumi i Francës natën e sulmeve në Paris. Agresioni i armatosur i 13 nëntorit la 130 persona të vrarë dhe mbi 350 të plagosur.
I dyshuari kryesor u ndalua në kufirin austro-hungarez në shtator, i shoqëruar nga dy persona me dokumente identifikimi të falsifikuara dhe me emrat Soufiane Kayal dhe Samir Bouzid, saktësoi zyra e prokurorit belg.
“Zyra e Prokurorit Federal i bën apel publikut që të mbajë sytë hapur për dy të dyshuarit, të cilët po kërkohen intensivisht nga hetuesit”, thuhet në një deklaratë.
Ndërkohë, roli i saktë i Abdeslam në sulmet e Parisit mbetet i paqartë. Ka zëra se ai do të kryente një sulm vetëvrasës atë natë, por u tërhoq.
Policia belge ka lëshuar gjithashtu një urdhërarrest ndërkombëtar për një tjetër të dyshuar, 29-vjeçarin Mohamed Abrini, që po drejtonte makinën në të cilën Abdeslam ishte pasagjer kur ndaloi në një pikë karburanti në Resons, në autostradën drejt Parisit.
Top Channel