Drejtësia, apeli final i të huajve: Pa ketë reformë nuk ka shtet

04/12/2015 18:30

Ambasadori gjerman në Tiranë, Helmut Hoffman ka shfrytëzuar pikërisht atmosferën e dhjetorit për t’iu përgjigjur kujtdo që replikon kundër reformës në drejtësi, duke sjellë përballë këtyre zërave shprehjen “gjeli i detit nuk voton për Krishtlindje”.

Ambasadori Hoffman pyeti të pranishmit se si duhet të mendojnë të huajt që janë mësuar me prokurorë e gjyqtarë korrektë me ligjin kur dëgjojnë perceptimin në Shqipëri për një drejtësi të korruptuar.

“Çfarë mendoni ju se mendon një vëzhgues i tillë? Masat e reformës parashikojnë hapa të mirë, megjithëse ekziston një teori juridike që në thelb thotë se, sistemi më i mirë në botë nuk mund të ndalojë një prokuror dhe gjyqtar të kryejë favorizime. Ajo që duhet bërë është të kryen verifikime që nga maja e drejtësisë, që nuk duhet të përfundojë në farsë. Duhet të jetë e qartë që instrumentat ligjorë do të përdoren sa herë të jetë e nevojshme. Pikëpamja e përhapur që ka kundërshtime është sipas asaj frazës, që gjelat e detit nuk votojnë për Krishtlindje”, deklaroi Hoffman.

Edhe nënsekretari i Shtetit, James Walsh e shikon reformën në drejtësi si jetike për një shtet që qeveriset nga shteti ligjor. Shohim raportime që gjykatat dhe prokuroritë në Shqipëri janë të pllakosura nga korrupsioni, koorporatizmi dhe ndikimi politik, nënvizoi Walsh dhe për të ndryshuar këtë situatë nevojitet, sipas tij, një vullnet i fortë politik.

“Është shumë e rëndësishme që të gjithë të kenë një zë në këtë diskutim dhe që produkti përfundimtar të jetë gjithëpërfshirës dhe me cilësi të lartë. Këto përpjekje pasyqrojnë përparim, por mbetet ende pyetja: a ka një vullnet politik për t’i miratuar këto ndryshime? A janë udhëheqësit të përgatitur të ndërtojnë një sistem drejtësie që mund të largojë korrupsionin qe qeveris veten me llogaridhënie më të madhe e që u ofron njerëzve një mbrojtje më të fortë gjyqësore, siç e meriton populli shqiptar? Apo do t’ia pengojnë rrugën ndasitë politike dhe interesat vetjake të biznesit? Unë besoj se ekziston vullneti”, tha Walsh.

Duke u bashkuar me domosdoshmërinë për reformë, edhe ambasadori francez shfaqi hapur rezervat e tij që kanë lidhje me zgjerimin e aksesit në Gjykatën Kushtetuese dhe për hierarkinë e normave nëse në vendin tonë duhet të jetë Kushtetuta apo traktatet evropiane.

“Një reformë e mirë e drejtësisë duhet të preokupohet për të lehtësuar gjithashtu kodet e procedurës, për të organizuar drejtësinë në terren, atë që lidhet me qytetarin e thjeshtë dhe me nevojat e tij të përditshme. Në përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues, reforma e propozuar më duket se u përgjigjet kritereve të një drejtësie kushtetuese operacionale, efikase dhe të pavarur. Por unë kam dyshime mbi kompleksitetin esktrem për përzgjedhjen e magjistratëve të tjerë, të prokurorit të posaçëm, të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të KLD-së, të mekanizmave të vlerësimit të gjyqtarëve. E gjithë kjo a nuk rrezikon të jetë jashtëzakonisht e rëndë dhe e kushtueshme për të bërë një vend të vogël si Shqipëria të funksionojë”, u shpreh Bernard Fitoussi.

Për kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, drafti përfundimtar duhet t’i nënshtrohet sërish një debati mes palëve të interesuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA