Vladimir Putin, jo vetëm nuk jep shenja zbutjeje në sherrin me Turqinë, por në fjalimin drejtuar kombit, të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror rus, kaloi në kërcënime të hapura ndaj Ankarasë.
“Ai që mendon se reagimi i Rusisë do të kufizohet te sanksionet ekonomike, gabohet rëndë. Do t’ua kujtojmë prapë se çfarë kanë bërë, e ju them se kanë për t’u penduar”, tha Putin.
Lufta e Moskës kundër terrorizmit zuri vend qendror në fjalimin e Presidentit rus, të cilin e çeli me lavdërimet për vejushën e pilotit të vrarë gjatë incidentit të “Su-24”-s në Siri.
Ajo ishte ftuar të merrte pjesë në eventin e organizuar në Kremlin, ku u mbajt gjithashtu një minutë heshtjeje për viktimat ruse të terrorizmit, përfshirë 224 personat që humbën jetën më 31 tetor, nga shpërthimi i avionit të pasagjerëve mbi gadishullin egjiptjan të Sinait.
Putin kaloi mes të tjerash edhe në akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë turke, duke thënë se strehon dhe mbështet në fshehtësi militantët e Shtetit Islamik. Ankaraja këmbëngul se F16-at e saj e rrëzuan “Sukoin” rus pasi shkeli hapësirën ajrore të vendit, variant ky i hedhur poshtë me përçmim nga Putini.
“Mbase vetëm Allahu e di arsyen e vërtetë të këtij veprimi. Dhe është e qartë se, Allahu vendosi ta ndëshkojë klimën qeverisëse të Turqisë, duke e zhveshur nga çdo motiv apo logjikë”, tha Putin.
Putini u kujdes megjithatë të sqaronte se ka një dallim të qartë mes udhëheqësisë turke dhe atyre që Rusia i konsideron si miqtë e saj të vjetër e të besueshëm në atë vend.
Pas incidentit të 24 nëntorit, Moska njoftoi vendosjen e një serie sanksionesh ekonomike ndaj Turqisë, anëtare të NATO-s, përfshirë këtu ndalimin e importit të frutave, perimeve e disa produkteve të tjera ushqimore nga Turqia, ndërsa rusët tashmë nuk mund t’i kalojnë më pushimet në vendin, që deri përpara një muaji ishte destinacioni i tyre kryesor turistik.
Top Channel