
Rikthehemi 5 vite më pas në fshatin Mamel, për të parë nëse ka ndryshuar diçka, apo gjërat kanë mbetur në vendnumëro.
Zhgënjimi shumëfishohet që në fillim, sepse në vitin 2010 ishte një rrugë tejet e rënduar që të dërgonte për në fshat, ndërsa sot, duke qenë se Tirana dhe Elbasani po shkojnë drejt përfundimit të lidhjes me një aks modern, diçka duhej të ishte përmirësuar.
Në fakt, kemi kaluar sërish në të njëjtin shteg të lodhur. Një shteg, që nëse bie shi është i pakalueshëm. Mamli ka mbetur mes dy rrugëve. Sot, si dikur, duhet të mbërrish nga rruga e vjetër, që lidh dy qytetet përmes Qafë Krrabës, ndërkohë në drejtim të autostradës së re, që u kalon vetëm 3 kilometra më tej, nuk kanë asnjë rrugë. E shohin me sy, por nuk mund të shkojnë andej. Realitete të tilla, vetëm Shqipëria mund të ofrojë…
“Ky është i vetmi mjet, me të cilin komunikojnë banorët e Mamlit, si për vdekje dhe për çdo gjë. Po më shumë për vdekje, se çfarë halli tjetër do të kenë këta. Çështje është kryesisht për vdekjet”, thotë Shefki Shadini.
Të ishte fshat i vogël, dikush edhe mund të justifikohej, por Mamli ka plot 200 shtëpi me mbi 470 votues, që zyrtarët i numërojnë aq mirë kur u vjen koha.
“Ne i kemi marrë njerëzit e sëmurë me batanije, i kemi çuar gati duke vdekur në rrugë. Kemi çuar dhe po çojmë. Ne po vuajmë jashtëzakonisht, ndaj ju lutemi juve të na ndihmoni deri në fund, bashkë me të gjithë shtetin. Na ndihmoni që edhe ne të shohim një jetë më të mirë, në këtë moshë të tretë që jemi”, thotë Jonuz Molosi.
Në Mamel, gjithçka bëhet ende me krahë, ashtu si toka që punohet vetëm me qerre. Shikoni një banor të shekullit të XXI-të, që i mëshon parmendës njësoj si paraardhësit e tij, disa shekuj më parë.
“Po ç’e diskuton gjendjen tonë. S’ka parà, shkojnë shumë shpenzimet, sepse farën e grurit duhet ta blesh, zetoristët kërkojnë shumë. Nuk përballohet”, thotë Enver Stafa.
Fshati është mbajtur historikisht me duhan, por tashmë, edhe me këtë nuk mund të merren. Shteti, në daljet e fundit të banorëve në treg në Elbasan, u konfiskoi gjithçka. Edhe ata që shpëtuan, e mbajnë atë në shtëpi, pa mundur të bëjnë asgjë.
“Zero, edhe atë duhan që kultivonim e me të cilin mbaheshim, edhe atë na e bllokoi shteti. Na ka ngelur i gjithi në shtëpi pa shitur. Jo se do bënim ndonjë gjë me atë, por të paktën i shisnim 10 kilogramë duhan e merrnim ndonjë thes miell për shtëpi, tani asgjë”, thotë Astrit Nova.
“As ne vet se dimë se çfarë do të bëhet. Vetëm me kafshë për çdo lloj transporti, për çdo lloj gjëje. Tani edhe duhani nuk po lejohet, nuk po shitet më. Kështu që… Dikush mund të iki nga Greqia me punë sezonale, kjo është jeta”, thotë Ardian Skora, kryeplak i fshatit.
Mamli nuk ka as qendër shëndetësore, nuk shet dot as duhanin, as perimet dhe asgjë tjetër. Të gjithë banorët mbahen me çikërrima. Këtu nuk ka ndryshim nga njëra shtëpi te tjetra, të gjithë jetojnë njësoj. Shpesh duket sikur edhe frymëmarrjet duhet t’i kursejnë…
“Mua po më dalin themelet e shtëpisë dhe s’kam me çfarë t’i rregulloj sepse duhen lekë. Me çfarë ta bëj transportin njëherë, sepse duhet zhavorri, rëra, por me çfarë ti sjell?”, thotë një banore e zonës.
“Gjithçka mbledh, grurë, misër etj., edhe atë pa rrugë, pa zetor, pa gjë por vetëm me krahë”, thotë Besnik Skora.
Por me se duhet të merret një fshat, që rrugën e shikon vetëm me sy nga larg? E për më tepër, edhe nëse dikush do të zbresë në këmbë deri te rruga e re, s’ka mundësi të kalojë më tej, sepse nënkalim për në krahun tjetër nuk ka. E vetmja mënyrë është të bëjë cirk duke rrezikuar jetën. Vallë, a e dinin projektuesit, që këtu jetojnë njerëz?
“Furnizimet ne i marrim nga qyteti, i sjellim poshtë i vëmë në kafshë, që i sjellin këtu. Prandaj është vujtje e madhe, ky popull vuan tej mase”, thotë Hasan Molosi.
Shkolla 9-vjeçare është i vetmi objekt i ri, edhe atë e ka bërë një shoqatë e huaj vite më parë. Të mesme nuk ka. Të rinjtë shohin vetëm mundësitë për t’u larguar, sepse këtu – siç thonë, – nuk ka asnjë të ardhme. Banorët, edhe shpresën e kanë humbur, sa kohë vitet kalojnë dhe asgjë nuk ndryshon.
“Asgjë. Dy pleq jemi në shtëpi dhe asgjë. Sesi do vejë, nuk e di unë”, thotë Emine Kollka.
“Gjithësekush merr ndonjë krah shkaba andej, ndez ndonjë zjarr natën për t’u ngrohur. Ai që ka drita, mirë, ai që s’ka dritë sapo vjen mbrëmja ia fut gjumit”, thotë Mustafa Hidri.
U rikthyem në Mamel 5 vite më pas, me shpresën që diçka duhej të kishte ndryshuar. Por, për fat të keq, jo vetëm që gjithçka ka ngrirë, por edhe është përkeqësuar. Nuk dihet sesi mund të lësh një komunitet kaq të madh pa rrugë, pa mundësi komunikimi, pa një nënkalim, ose e thënë thjesht pa asgjë.
Në fakt, ky fshat është sot treguesi më i qartë, më i dukshëm dhe më ulëritës i papërgjegjshmërisë. Të jesh nga “Momli”, edhe sot – si dje, – do të thotë të jetosh në një vend të humbur, një shprehje që në fakt duhet të prodhonte një shprehje tjetër; kjo është politika shqiptare.
Top Channel