Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare në vlerë 2 milionë euro të shoqërisë “ALENFRA”, me adminstratore shtetasen italiane Simonetta Coniglio, pasi dyshohet se janë të ardhura të krijuara nga aktiviteti i pastrimit të parave.
Gjykata për Krime të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë mbi llogaritë e Coniglios, e cila tashmë, në bazë të ligjit “Antimafia”, duhet të justifikojë vërtetësinë e burimit të kësaj shume, e gjendur në degën e Kavajës së një banke të nivelit të dytë.
Sipas regjistrimit në QKR, shoqëria “ALENFRA” do të merrej me “import-eksport, tregtim me shumicë dhe pakicë i gurëve të çmuar, metaleve të çmuara”, nga Tanzania, në drejtim të Shqipërisë e më tej në Europë. Për këtë arsye, shoqëria ka qarkulluar shuma të ndryshme nga Tanzania në drejtim të bankës në Shqipëri, të cilat arrijnë në shumën e 2 milionë eurove. Por lëvizjet e shpeshta në këto llogari (derdhje dhe tërheqje brenda një kohe të shkurtër) kanë krijuar dyshimet se po kryhej veprimtaria e paligjshme e pastrimit të parave.
Fillimisht, ndaj këtyre llogarive, me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës është vendosur masa e sekuestros preventive. Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Kavajë dhe ka vendosur sekuestro preventive për një periudhë një-vjeçare (dy herë nga 6 muaj). Brenda këtij afati të vendosur nga gjykata për sekuestro preventive, Prokuroria e Kavajës duhet të provonte se shtetasja Simonetta Coniglio, në bashkëpunim me bashkëshortin e saj, Sergio Pisaneschi dhe bashkëpunëtorin Paolo Tadeo, po zhvillonin aktivitetin e pastrimit të parave në Shqipëri.
Në kuadër të këtij hetimi, brenda këtij afati kohor, Prokuroria e Kavajës arriti të informohej nëpërmjet letër-porosive se të tre shtetasit italianë kishin precedentë penalë në vendin e tyre për “mashtrim” dhe “procedura mashtruese falimenti”. Ndërkohë, ende nuk kanë mbërritur përgjigjet e letër-porosive për aktivitetin financiar të këtyre shtetasve, me qëllim për të vërtetuar nëse kanë mundësitë financiare për të qarkulluar shuma të tilla parash.
Në kushtet kur, në pamundësi kohore për të vijuar hetimet për shkak të mosmbëritjes së letër-porosive, si edhe në kushtet kur afati i sekuestros preventive i vendosur nga ana e Gjykatës së Kavajës (konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit Durrës) po përfundonte dhe llogaritë e sekuestruara mund të zhbllokoheshin, atëherë ndërhyn Prokuroria për Krime të Rënda, e cila merr lejen nga Gjykata për Krime të Rënda për të sekuestruar këto llogari bankare, mbështetur në ligjin “Antimafia”.
Në ndryshim nga hetimet e prokurorive të rretheve, kur për veprimtarinë e pastrimit të parave, i takon organit procedues të vërtetojë burimin e paligjshëm të parave, në bazë të ligjit ‘Antimafia” që ka për kompetencë Prokuroria dhe Gjykata për Krime të Rënda, barrën për të justifikuar pasurinë e tyre e e kanë personat e dyshuar për “pastrim parash”.
Top Channel