Ndihma gjermane kundër ISIS-it

27/11/2015 12:40

Atentatet e Parisit duket se shënuan një pikë kthese në qëndrimin e Gjermanisë, e përforcuar kjo edhe nga takimi i së mërkurës në kryeqytetin francez mes presidentit François Hollande dhe kancelares Angela Merkel.

E nxitur nga shefi i Elizesë të bëjë më shumë në përpjekjet kundër terrorizmit, kancelarja premtoi se nuk do të ketë kthim prapa dhe pas njoftimit për dërgimin e 650 trupave ushtarake në Mali, nga Berlini erdhi deklarata se do të shtojë angazhimin për misionet e zbulimit kundër ISIS-it.

Ndihma mund të marrë formë konkrete shumë shpejt. “Ne do të forcojmë jo vetëm operacionet e trajnimit në Irakun e Veriut, por do të angazhohemi në luftën kundër terrorit të Shtetit Islamik në Siri me avionë zbulues Tornado RECCE”, deklaroi zëdhënësi i Grupit Parlamentar CDU/CSU, Henning Otte, në Berlin.

Pasditen e së enjtes, Merkel zhvilloi konsultime me ministren e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, ministrin e Jashtëm, Frank-Walter Steinmeier dhe ministrin e Brendshëm, Thomas de Maiziere mbi kontributet e ndryshme të Gjermanisë. Në diskutim është angazhimi i avionëve të zbulimit Tornado të Bundeswehrit në Siri dhe në Irakun e Veriut, të cilët do të ndihmojnë në identifikimin e pozicioneve të miliantëve të Shtetit Islamik.

Zyrtarët gjermanë nuk e konsiderojnë të dobishëm ndërmarrjen e sulmeve ajrore, përderisa zonat në fjalë po bombardohen tashmë nga anëtarët e koalicionit ndërkombëtar, por ofrohen të kontribuojnë me ato aftësi që të tjerëve u mungojnë. Të njëjtat burime sqarojnë se ISIS-i zotëron raketa moderne kundërajrore iraniane dhe është “një kundërshtar për ta marrë shumë seriozisht”.

Megjithatë, mandatin e Bundeswehrit duhet ta aprovojë më parë Parlamenti, ndërsa për shumë politikanë vendas do të ishte me vlerë edhe një mandat i KS të OKB-së.

Tornadot “Recce” kanë mbështetur disa misione ushtarake ndërkombëtare, përfshirë ato në Ballkan apo Afganistan, ku ishin pikërisht 6 avionë të tillë të Gjermanisë ata që u dhanë partnerëve të NATO-s informacionet e nevojshme mbi pozicionet e talibanëve. 

Por nisur nga incidenti i avionit rus në kurifirn siriano-turk, gjermanët e shohin si sfidë madhore koordinimin brenda koalicionit anti-ISIS e thonë se një episod i tillë nuk duhet të përsëritet më.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA