Dhjetëra gazetarë kanë protestuar të enjten, në shenjë pakënaqësie nga mos përfshirja e tyre në negociatat, që po zhvillohen mes 4 partive kryesore në vend për reformimin e sferës mediatike. Për kreun e Shoqatës së Gazetarëve, Naser Selmani, është e pakuptimtë që politikanët të vendosin për mediat pa i konsultuar gazetarët.
“Nëse propozimet e tyre janë aq të mira dhe në interes të përmirësimit të gjendjes së mediave, atëherë nuk duhet të ketë asnjë problem, që ato t’i ndajmë me opinionin publik. Dyshojmë seriozisht se, me propozimet e tyre diçka nuk është në rregull. Nuk duan të bëjnë ndryshime serioze në sistemin e mediave”, tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Reformimi i fushës mediatike në Maqedoni parashikohet me marrëveshjen e 2 qershorit, ndërsa përfaqësuesit e 4 partive kryesore janë ende duke biseduar rreth ligjeve, me të cilat kjo sferë do të lirohej nga ndikimi i politikës. Por, gazetarët nuk mendojnë se një gjë e tillë mund të arrihet, pa përfshirjen e tyre në bisedime.
“Ftojmë përfaqësuesit e BE-së dhe të SHBA-ve, të cilët janë garantues të marrëveshjes së 2 qershorit, të mos u vijnë në ndihmë partive politike, që të kontrabandojnë zgjidhje për mediet pas shpinës së gazetarëve, që nuk janë në interes të qytetarëve”, tha Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Protesta e gazetarëve u mbajt para Klubit të deputetëve në Shkup, ku zhvillohen negociatat për mediat. Ndërkaq, përfaqësuesit politikë, të enjten nuk kanë zhvilluar takimin e caktuar për në orën 12, i cili është anuluar në momentin e fundit.
Top Channel