Mijëra persona janë grumbulluar në një kamping universiteti në Kenia për meshën e Papa Françeskut, i cili e viziton për herë të parë kontinentin afrikan si Ati i Shenjtë.
Turma e njerëzve e ka pritur Papën në shi në fushën e Universitetit të Nairobit që në orët e para të ditës së enjte.
Papa ka mbërritur në Kenia ditën e mërkurë dhe u prit në aeroportin e Nairobit nga presidenti i vendit, Uhuru Kenyatta.
Në vizitën e tij 6-ditore në Afrikë, Ati i Shenjtë do të vizitojë edhe Ugandën dhe Republikën e Afrikës Qendrore.
Papa argjentinas, që konsiderohet si një zëdhënës i të varfërve, pritet të përcjellë mesazhin e tolerancës fetare dhe bashkëjetesës paqësore mes të krishterëve dhe myslimanëve.
Rajoni po përjeton një valë të madhe ekstremizmi dhe dhune fetare gjatë kohëve të fundit. Sulmet ekstremiste në Kenia janë shtuar ndjeshëm. Dy vite më parë, grupi somalez al-Shabab sulmoi një qendër tregtare, duke vrarë 67 persona.
Top Channel