Hajriz Sejdiu – Një fatkeqësi, një tërmet, një vërshim, një cunami, një luftë civile apo konflikt regjional, dhe një thyerje e paqes mund të bëjnë që për një kohë shumë të shkurtër, shumë njerëz të mbesin pa shtëpi dhe të kenë nevojë për ndihmë dhe siguri.
Para së gjithash, nëse kemi të bëjmë me një katastrofë natyrore, atëherë ajo ndikon që shumë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre, pastaj shpërthimet e konflikteve të ndryshme të cilat rezultojnë me një fluks të madh të refugjatëve ose katastrofa të tjera të cilat mund të ndodhin kudo dhe kurdo dhe mund të shkaktojnë pasoja të paparashikueshme për evakuim dhe strehim.
Për ata të cilët kanë humbur prona (p.sh.: shtëpi, banesa etj.), apo kanë kaluar nëpër ngjarje traumatike dhe për fat të keq janë të lënë jashtë, në njëfarë mënyre nga mbrojtja dhe kujdesi ndaj tyre dhe komunitetit ku ata jetojnë, atëherë kampi ofron një vend të sigurt, ku ata marrin ndihmë mjekësore, ushqim, strehim dhe mbrojtje. Kampet për strehim nuk ofrojnë një zgjidhje të përhershme, por nëse ato janë të menaxhuara mirë, ashtu siç duhet, atëherë ato mund sigurojnë një vend të përkohshëm i cili ofron ndihmë për shpëtimin e jetës nga fatkeqësitë.
Sot Ballkanin dhe Europën e ka kapluar një fluks i madh i refugjatëve por refugjatët dhe menaxhimi i tyre nuk janë një dukuri e re për botën. Ky numër i madh i të ikurve që po vijnë nga Lindja e Mesme, po menaxhohen në mënyrën më të keqe të mundshme nga shtetet ballkanike në përgjithësi dhe nga disa shtete tjera si Hungaria, Rumania etj. Ligjet ndërkombëtare për refugjatët na obligojnë që menaxhimi i situatave të tilla është një çështje e ndjeshme, humane dhe e garantuar ndërkombëtarisht. Është e papranueshme dhe jashtë çdo norme njerëzore që refugjatët të priten në pika hyrëse kufitare me ushtri dhe me polici.
Të tmerrohen dhe frikësohen gratë, pleqtë, fëmijët me armë dhe me lotsjellës, duke i rrahur dhe keqtrajtuar ata, është e dënueshme dhe jo humane, njëkohësisht është shkelje e të gjitha normave ndërkombëtare. Shembuj të tillë të pritjes së refugjatëve kemi parë në Greqi, në Maqedoni, në Kroaci dhe në Hungari. Është e kuptueshme se për çdo shtet, sidomos për shtetet me ekonomi dhe qeverisje të dobët ose për shtetet në tranzicion që menaxhimi i refugjatëve është një sfidë tepër e madhe, shpesh e pakalueshme dhe kur kësaj kur i shtojmë edhe ksenofobinë fetare të këtyre shteteve ndaj refugjatëve me përkatësi fetare islame, shohim se menaxhimi dhe sjellja ndaj tyre ka rrëshqitur drejt një shkeljeje masive të drejtave elementare humane.
Kosova dhe refugjatët
Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se shumica e shteteve europiane dhe ballkanike janë duke i mbyllur kufijtë për të minimizuar numrin e refugjatëve. Kjo mbyllje, sipas të gjitha parashikimeve, do të detyrojë refugjatët që të ndërrojnë itinerarin e udhëtimit dhe cak i tyre tani mund të jetë Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Kur kësaj ia shtojmë edhe informacionet se në Bruksel para disa muajsh ishte bërë një lloj ndarje e këtyre refugjatëve sipas numrit dhe vendeve se sa secili vend mund të pranonte dhe se Kosova kishte garantuar se mund të përballonte një numër prej 5000 refugjatësh, shtrohet pyetja se sa është Kosova e përgatitur për menaxhimin e kësaj situate.
Me një gjendje të tillë ekonomike, sociale, me një krizë politike parlamentare dhe kur mekanizmat e mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, sigurisë, rezervave shtetërore dhe mekanizma të tjerë ende të pakonsoliduar mirë, sidomos për ngjarje të tilla që kërkojnë një menaxhim shumëdimensional dhe shuminstitucional, Republika e Kosovës do të sfidohet me menaxhimin e kësaj situate, veçanërisht nëse refugjatët do të qëndrojnë një kohë të gjatë në vendin tonë. Republika e Kosovës në aspektin ligjor dhe dokumenteve bazike për menaxhimin e emergjencave, ka një sistem të Integruar të Menaxhimit Emergjent dhe një Plan të Reagimit Kombëtar.
Ky plan është Plan Operativ, i cili i shërben Qeverisë së Republikës së Kosovës për të menaxhuar çdo fatkeqësi pa marrë parasysh madhësinë, kompleksitetin dhe juridiksionin. Planifikuesit e hartimit të planit kontingjent për menaxhimin e refugjatëve në nivel vendi, para se të hartojnë këtë plan, duhet të kuptojnë saktë termat refugjat dhe emigrant dhe qasjen që duhet pas ndaj secilit grup, sepse obligimet ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe detyrat dhe përgjegjësitë shtetërore për menaxhimin e tyre nuk janë të njëjta për këto dy kategori.
Refugjati dhe emigranti
Një refugjat është një person të cilit, në vendin e tij/saj të origjinës, i kanë mbetur çështje të pazgjidhura personale dhe që i është ndërprerë ose shtyrë edukimi. Ky është një person i cili është i traumatizuar nga fakti se ai duhej të ikte dhe se për këtë arsye ndien një humbje të madhe. Ai është personi për keqardhje, një person i cili është i hutuar nga ardhja në një vend plotësisht të huaj, në një mjedis krejtësisht të ndryshëm dhe të panjohur kurse fëmijët refugjatë janë shpesh pa prindër ose kujdestarë.
Kurse një emigrant është një person i cili ka qenë i përgatitur për udhëtim dhe për këtë arsye e ka më të lehtë përshtatjen me situatën e re, i cili ndërkohë edhe mund të kthehet atje nga ka ardhur. Me fjalë të tjera, kjo është zgjedhja e tij personale. Shpesh e gjithë familja është në rrugë dhe kryesisht të gjitha nevojat e tyre themelore janë të mbuluara paraprakisht. Dhe ka nga ata që nuk janë as këtu, as atje dhe ku shumë prej faktorëve të mësipërm u përzihen.
Ata janë njerëz të cilët kanë lënë familjen (e cila shpesh u dërgon para dhe shumë njerëz mund t’i shohin në bankat dhe zyrat e postës), miqtë dhe gjërat e njohura, dhe të cilët janë të ballafaquar me një kulturë të ndryshme, klimë dhe gjuhë tjetër e cila është arsyeja pse ata kanë nevojë për mbështetje. Siç po e shohim sot, në mesin e njerëzve të cilët aktualisht dynden në Ballkan dhe në Bashkimin Europian ka dhe refugjatë edhe emigrantë dhe të tjerë që janë diku në mes.
Sidoqoftë, një gjë duhet ta dimë dhe ta kemi të qartë se kampet ngrihen për t’i siguruar të drejtat elementare humane të komuniteteve të zhvendosura për një jetë të dinjitetshme. Praktika më e mirë e menaxhimit të kampeve bazohet në të kuptuarit se, të gjitha aktivitetet e kampit duhet të ndërmerren për realizimin e qëllimit, i cili është “sigurimi i popullatës së kampit nga trajtimet abuzive apo degraduese dhe ruajtjen e të drejtave të tyre, duke i përfshirë të drejtat për ushqyerje, strehim, kujdes shëndetësor dhe bashkim familjar.
Gazeta “Shqip”
Top Channel