Gjykata e Fierit ka pranuar kërkesën për shpalljen fajtor të shtetasve Fatmir Kajolli dhe Florim Kajolli, dhe i ka dënuar me nga 1 vit e 4 muaj burgim secilin, për akuzat e “kanosjes ose dhunimit të pjesëmarrësve në zgjedhje”, “kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “shkatërrimit të pronës me dashje”, për një ngjarje të ndodhur në datë 24 qershor 2015, dy ditë pas zgjedhjeve lokale.
Sipas hetimit të Prokurorisë së Fierit rezulton se, në atë datë, rreth orës 01.15, në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ) me nr .57, e cila ndodhej në shkollën “Janaq Kilica”, në lagjen “Kastriot”, Fier, shtetasi Roland Bylyshi, me detyrën e numëruesit për zgjedhjet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Fier, në momentin që po dorëzonte procesverbalin e numërimit të votave brenda KZAZ, është goditur me grusht dhe me tub hekuri deri sa ka humbur ndjenjat nga shtetasi Fatmir Kajolli, në bashkëpunim me djalin e tij, Florim Kajolli.
Shtetasi Roland Bylyshi ka humbur ndjenjat dhe është dërguar në spitalin e Fierit për ndihmë mjekësore. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai ka bërë kallëzim penal.
Autorët e kësaj ngjarjeje, Fatmir Kajolli dhe Florim Kajolli, pasi kanë goditur derisa ka humbur ndjenjat Roland Bylyshin, kanë shkatërruar me dashje sistemin e monitorimit të procesit zgjedhor, duke rrëzuar në dysheme 7 televizorë LG dhe shtyllat mbajtëse, si edhe kamerën vëzhguese.
Gjatë kqyrjes, kamera vëzhguese lëshonte sinjal alarmi dhe kishte dalë jashtë pune. Po kështu, televizoret LG u gjetën të rrëzuar përtoke dhe të fikur. Procesi i numërimit të votave është ndërprerë. Pasi kanë shkatërruar sistemin e monitorimit me dashje, Fatmir dhe Florim Kajolli janë larguar nga KZAZ dhe kanë goditur rojen, Rufat Cuku, që ndodhej tek porta hyrëse e KZAZ, duke i shkaktuar dëmtime në krah dhe këmbë.
Veprimet e tyre ndaj këtij punonjësi policie i kanë kryer për shkak se ka mbyllur derën për të mos i lejuar të largohen. Pasi e kanë goditur punonjësin e policisë kanë arritur të largohen dhe të fshihen pas kësaj ngjarjeje.
Fillimisht, gjatë fazës së hetimeve, ndaj të pandehurve, Gjykata e Fierit vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë, e cila u zbut në vijim nga ana e Gjykatës së Apelit Vlorë, pavarësisht faktit se masa e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë nuk ishte ekzekutuar ende.
Ndaj shtetasit Kajolli është bërë edhe sekuestrimi i të gjithë pronave të tij, sipërfaqe të mëdha toke dhe ndërtime për shkak të aplikimit të ligjit antimafie. Shtetasi Kajolli është arrestuar një herë për llogari të drejtësisë italiane, pasi figuronte i dënuar në Itali. Por gjykatat shqiptare e kanë liruar, duke mos lejuar ekstradimin. Fatmir Kajolli, ish-këshilltar bashkiak për Partinë Republikane në Fier, gjatë kohës që ishte në kërkim, arriti të marrë me familjarët e tij koncesionin e parkimeve në qytetin e Fierit. Sipas drejtësisë italiane, ai është dënuar me 40 vite burgim, 24 nga të cilat nga Gjykata e Milanos për “krijim organizate kriminale” dhe “posedim dhe tregtim të lëndëve narkotike”.
Po ashtu, në vitin 2000 edhe Gjykata e Romës e dënoi atë me 16 vite burgim me të njëjtën akuzë. Pas këtyre vendimeve, ai u shpall në kërkim ndërkombëtar dhe ka mundur të jetojë e zhvillojë biznes i qetë në Fier, derisa u dënua në Shqipëri me 1 vit e 4 muaj burg për rrahjen e një komisioneri.
Ndërkohë, është ende pezull në dosjet e Ministrisë së Drejtësisë dhe gjykatave shqiptare fakti që shtetasi Kajolli ka një dënim prej 40 vitesh me burgim në Itali, të cilin nuk e ka kryer.
Top Channel