Reforma në drejtësi, Anastasi: Ja si kërkuam heqjen e imunitetit për politikanët e gjyqtarët

25/11/2015 21:00

Diskutimet për reformën në drejtësi janë zhvendosur në Durrës. Të mërkurën u organizua tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe pedagogë të fushës së drejtësisë.

Aurela Anastasi, eksperte e grupit të punës për ndryshimet kushtetuese, ka zbuluar se një ide ka qenë edhe heqja e imunitetit për politikanët. Ajo ka deklaruar se ishte në grupin që ka mbështetur këtë ide.

“Ne kemi diskutuar këtë çështje edhe kur jemi mbledhur në mbledhjet e përgjithshme të ekspertëve sepse në përgjithësi ne kemi punuar me grupe pune.  Kjo ka qenë një çështje shqetësuese. Pse? E para ka pasur dy rryma. E para që tani që u ndryshua Kushtetuta ta lëmë kështu siç është me qëllim që edhe gjyqtarët të kenë një mbrojtje nga procesi penal, nga pikëpamja e imunitetit. Kurse rryma tjetër ishte që jo. Derisa ndërmarrim gjithë këtë reformë në drejtësi nuk ka më kuptim të flasim për imunitet të gjyqtarëve. Një pjesë e jona, ku përfshiva dhe unë aty, ngritëm problemin: Heqje e imunitetit vetëm për gjyqtarët? Mos duhet ta heqim për të gjithë imunitetin, për të gjitha kategoritë që kanë imunitet dhe në këtë kuadër përfshirë edhe deputetët, organet përfaqësuese që e kanë këtë imunitet dhe ministrat që kanë imunitet të barabartë me deputetët?!. U la kështu sepse në këtë fazë ne përgatitëm vetëm ndryshimet për reformën në drejtësi. Prandaj është prekur vetëm dispozita që sanksionon imunitetin nga procesi penal për gjyqtarët. Por ka shumë mundësi që me ndryshime të tjera që do të përgatiten dhe besoj se do të kalojnë njëra pas tjetrës me ndryshimet me reformën në drejtësi, të hiqet edhe imuniteti për përfaqësuesit. Kjo është ngritur edhe në mbledhjen e dytë që ne bëmë për komisionin e posaçëm me reformën në drejtësi”, deklaroi Anastasi.

Ekspertja përmendi edhe çështjen e dekriminalizimit. Ajo tregoj se po përgatitet amandamenti që është posaçërisht për këtë çështje. Sipas saj, janë disa nene që do të shkojnë në shërbim të dekriminalizimit të Parlamentit.

“Një nga deputetët e ngriti çështjen dhe tha: ‘Keni hequr imunitetin vetëm për gjyqtarët, por po për politikanët që ushtrojnë presion ndaj gjyqtarëve?!’ Kjo është një çështje që Kuvendi do ta rimarrë nëse do të vendosi që të ndryshojë dhe disa dispozita të tjera meqenëse futet një amendament. Në këtë kuadër unë do të përmendja edhe faktin që po përgatitet edhe amendamenti që është i posaçëm vetëm për dekriminalizimin. Ai do të përfshijë edhe disa nene të projektit që ne kemi. Domethënë janë tre katër nene për dekriminalizimin por do të kelt ndërhyrje në këtë projekt që ne kemi me qëllim dekriminalizimin e  parlamentit”, u shpreh Anastasi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA