Nishani: Zhvillimet e fundit në botë, këmbana alarmi

25/11/2015 21:55

Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë këtë të mërkurë në samitin e jashtëzakonshëm të krerëve të shteteve anëtare të Procesit të Brdo-Brijunit, mbajtur në Zagreb.

Samiti ishte thirrur nga presidentët e Kroacisë e Sllovenisë, me synim forcimin e dialogut strategjik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Të ftuar në këtë samit ishin dhe zëvendëspresidenti i Amerikës, Joseph Biden dhe presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Samiti u fokusua në çështjet e sigurisë dhe luftës ndaj terrorizmit, të krizës së migracionit nga vendet në konflikt, si dhe të rivitalizimit të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit perëndimor.

Në fjalën e mbajtur, presidenti Nishani shprehu shqetësimin për zhvillimet ndërkombëtare pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris, duke i konsideruar ato “këmbana të forta alarmi”.

Gjithashtu, kreu i shtetit theksoi se, për shkak të këtyre zhvillimeve dhe cënueshmërisë së rajonit të Ballkanit perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të rivlerësojnë prezencën, ndihmën dhe veprimet konkrete në të.

Nga ana e tij, zevendespresidenti amerikan, Biden theksoi me forcë qëndrimin se NATO i ka dyert e hapura për të gjitha vendet e rajonit, duke nënkuptuar këtu ftesën në dhjetor për Malin e Zi, por edhe mbështetjen në reforma për vendet e tjera që nuk janë ende pjesë e Aleancës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA