Tentuan të korruptojnë policinë për të shmangur ndëshkimin, në pranga dy shtetas Një tentativë vjedhjeje ka përfunduar me vrasje në një zonë pranë Milanos, në veri të vendit. Rodolfo Colazzo, një tregtar bizhuterish, ka shtënë me armë zjarri kur tre persona i kanë hyrë në shtëpi dhe e kanë keqtrajtuar. Një plumb ka goditur për vdekje shtetasin shqiptar Valentin Frrokaj, 37-vjeçar, ndërsa dy keqbërësit e tjerë kanë arritur të largohen pa lënë gjurmë.
Mendohet se janë të armatosur dhe kërkimet vazhdojnë në zonat përrreth.
Valentin Frrokaj kërkohej nga forcat e rendit që më 7 maj të vitit të kaluar, kur qe arratisur nga burgu i Palermos, ku duhet të vuantë dënim të përjetshëm për vrasjen në vitin 2009 të Elton Llahos. Viktima 23-vjeçare, me plagë të rënda thike, ndërroi jetë pas dhjetë ditësh agonie.
Valentin Frrokaj ishte arratisur edhe një herë tjetër nga burgu i sigurisë së lartë i Parmës. Në atë kohë arratia e tij zgjati gjashtë muaj.
Pasi është marrë në pyetje, Rodolfo Colazzo ndodhet i shtruar në spital për shkak të plagëve të marra. Si avokati i familjes ashtu edhe përfaqësues të forcave të rendit përjashtojnë mundësinë e vrasjes me paramendim, por flasin për vetmbrojtje të ligjshme.
Top Channel