19 kryebashkiakët e Brukselit vendosën për hapjen e muzeumeve sot, ndërsa të mërkurën pritet të nisë funksionimi i rregullt i metrove dhe shkollave, nën mbikqyrjen e forcave të sigurisë nga mëngjesi në mbrëmje.
Prindërit njoftohen se nuk do t’u lejohet të hyjnë nëpër shkolla, ndërsa fëmijët do të privohen për të dalë jashtë territorit, qoftë dhe gjatë pushimit të drekës.
Ndërsa niveli maksimal i alarmit mbetet i pandryshuar për Brukselin deri të hënën, sot hapën dyert një pjesë e qendrave komerciale dhe nesër pritet të rinisë aktiviteti i institucioneve kulturore dhe teatrove.
Të premten pritet të gjallërohen tregjet e Krishtlindjeve në qytet dhe “Kënaqësitë e Dimrit” (les plaisir d’hiver), siç emërtohen evenimentet e fundvitit të organizuara nga Zyra Belge e Turizmit, por të gjitha këto mbeten subjekt diskutimi për mbyllje të menjëhershme apo anullim, në rast rreziku.
Niveli i kërcënimit në Belgjikë është cilësuar “mesatar” për vite me radhë, deri në fillim të vitit 2015, kur u zbulua komploti terrorist në Verviers, që shtyu autoritetet vendase për kalim në nivel “të lartë”.
Kjo është hera e tretë që kërcënimi për Brukselin vlerësohet “shumë i lartë”, pas atentatit në muzeun hebre vitin e kaluar dhe gjatë periudhës dhjetor 2007-janar 2008.
Top Channel