Miliarda sterlina për sigurinë e Britanisë

23/11/2015 08:20

Për të mbrojtur Britaninë nga kërcënimet terroriste, kryeministri britanik David Cameron do të shpenzojë miliarda sterlina për shërbimet sekrete, policinë dhe forcat e armatosura të vendit.

Do të jenë në total 178 miliardë sterlina në buxhetin e mbrojtjes për dekadën e ardhshme, për të luftuar, siç tha kryeministri britanik, terrorizmin e tipit të Shtetit Islamik. Roli i ushtrisë në kundërpërgjigje të sulmeve të ngjashme terroriste si ato në Paris do të rritet. Sipas planeve dhe strategjisë së re të mbrojtes, do të ketë një shtesë prej dhjetë mijë  trupash elitare që do mund të dislokohen në rrugët e Britanisë apo për të rrethuar zona të tëra në bashkëpunim me policinë, duke çuar në dyfishim të kapacitetit aktual.

Dy “brigada të goditjes” me nga 5 mijë trupa do të krijohen brenda dekadës së ardhshme për t’u dislokuar në çdo cep të botës.
 
Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen bëhet paralelisht me angazhimin për të shtuar buxhetin për anti-terrorizmin me 30%, duke krijuar qendra të reja për shërbimin e brendshëm sekret MI5.

Blerje të konsiderueshme avionësh ushtarakë të teknologjisë së fundit  do të synojnë edhe mbrojtjen e nëndetëseve bërthamore Trident si dhe dy aeroplanmbajtëseve të reja që po ndërtohen.
 
E ndërsa Cameron takohet në Paris për bisedime me presidentin Hollande, për të koordinuar veprimet kundër ISIS-it, duket se ai mund të fitojë mbështetjen e parlamentit britanik për sulme ajrore, pasi deputetë të rëndësishëm të Partisë Laburiste të opozitës kanë shprehur mbështetjen për kryeministrin dhe kundërshtimin me udhëheqësin e tyre të ri Jeremy Corbin, duke kërkuar votim të lirë të deputetëve, jashtë qëndrimit partiak për çështjen e sulmeve ajrore.
 
Qeveria ka besim se brenda dy javësh forcat britanike do të jenë të angazhuara në veprime ushtarake në Siri, por kësaj here me bekimin parlamentar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA