Shiu i rrëmbyeshëm i dy ditëve më parë në Kosovë depërtoi edhe në Pallatin e porsandërtuar të Drejtësisë në Prishtinë. Uji ka pikuar në sportelin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, duke e pamundësuar kështu nisjen e punës të hënën për zyrtarët e Gjykatës.
Xhamat e zyrave janë mbuluar me qese dhe janë vendosur disa kova uji për ta parandaluar shpërndarjen e ujit në pjesë të tjera të institucionit. Zëdhënësja Mirlinda Gashi tha se nga kjo gjendje është rrezikuar një pjesë e materialit arkivor si dhe uji ka dëpertuar edhe në zyrën e një gjykatësi.
Pallati i Drejtësisë, në të cilin janë të vendosura të gjitha institucionet e drejtësisë, prokurori e gjykata, është një investim i përbashkët i qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Europian. Kostoja e ndërtimit të tij ishte rreth 30 milionë euro dhe konsiderohet si donacioni më i madh i BE-së për institucionet e Kosovës. Por, që nga përurimi në mars të këtij viti, problemet në këtë institucion nuk janë ndalur.
Top Channel