Sulmet ndaj ISIS-it, Cameron kërkon të bindë Parlamentin

22/11/2015 00:00

Kryeministri britanik, David Cameron ka filluar fushatën e tij për të bindur Parlamentin për nevojën e sulmeve ajrore dhe shpreson që, përpara Krishtlindjes, avionët britanik do të mund të sulmojnë Shtetin Islamik në Siri.

Cameron fillon të hënën të bindë privatisht deputetët dhe, duke iu referuar kohës së Luftës së Dytë Botërore, ai do t’u thotë atyre se Britania lipset të veprojë si “Churchill, e jo si Chamberlein” nëse kërkohet të mposhtet terrorizmi.

Burime nga “Downing Street” i kanë thënë gazetës prestigjioze të së dielës “The Sunday Times” se, Cameron po përgatit një plan prej 7 pikash për ndërhyrje ushtarake, ku përfshihet edhe një dokument për të ardhmen e Sirisë.

Shpresohet që ky dokument do jetë në përgjigje të raportit të Komitetit parlamentar britanik për Çështjet e Politikës së Jashtme, me mjaft influencë, që është shprehur kundër përfshirjes ushtarake të Britanisë.

Ofensiva e Cameron për të bindur deputetët britanikë vjen një ditë përpara se qeveria të njoftojë të hënën planet e Britanisë për të blerë 138 avionë ushtarakë “Stealth” me një vlerë prej 12 miliardë stërlinash, e që besohet se do t’i ofrojë Britanisë forcën e dytë goditëse më të madhe në botë, pas amerikanëve, dhe do të jenë të majftueshëm të goditet ISIS, por edhe grupe të tjera ekstremiste për një brez të tërë.

Sondazhet e së dielës në Londër tregojnë se, 46 për qind e britanikëve mbështesin planet për sulme ajorore kundër Shtetit Islamik dhe 32 për qind janë kundër.

Ndërkohë, udhëheqësi i opozitës laburiste Jeremy Corbin, i njohur si kundërshtar i luftës dhe sulmeve ajrore, si në kohën e sulmeve të NATO-s në Serbi, duket se e përjashton mundësinë e ndërhyrjes ushtrake, edhe pse shumë deputetë laburistë duket se mbështesin kryeministrin, nëse do të ketë votim parlamentar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA