Situata e rënduar në disa zona të vendit, e krijuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut gjatë së dielës, po shkon drejt normalizimin.
Ministria e Brendshme ka lëshuar një deklaratë gjatë orëve të mbrëmjes së të dielës, ku thotë se situata po monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, e cila koordinon veprimet me të gjitha Institucionet dhe Strukturat Operacionale në terren.
Për sa i përket Qarkut të Tiranës, në deklaratë thuhet se në Laprakë dhe Bathore, në lagjen “Komuna e Parisit” dhe pranë ish-Ekspozitës “Shqipëria sot”, ka rënie të nivelit të ujit. Aktualisht në autostradën Tiranë-Durrës qarkullohet pa probleme. Për shkak të rritjes së nivelit të prurjeve të lumit të Tiranës, në Babrru ka pasur dalje të ujërave jashtë shtratit duke rrezikuar përmbytjen e banesave. Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë dhe ka evakuuar disa familje. Në Paskuqan, Valias dhe Bregu i Lumit ka pasur prezencë uji në disa banesa. Forcat e Armatosura po punojnë me 3 motopompa për largimin e ujërave. Prefekti i Qarkut Tiranë, ka nxjerrë një Udhëzim për situatën e krijuar nga rrëshqitja e dherave në rrugën “Karl Gega”. Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve së Bashkisë Tiranë po punon për normalizimin e situatës së krijuar.
Në Tropojë mësohet se janë dëmtuar çatitë e 50 banesave, si pasojë e erës së fortë. Gjithashtu janë dëmtuar dhe 2 ura, që lidhin Tropojën e Vjetër me Bajram Currin dhe ura që lidh lagjen Geghysenaj-Selim. Në deklaratën e MB thuhet se Komisioni i Emergjencave Civile në qark vazhdon të ndjekë situatën e krijuar nga reshjet e fundit, duke ndërmarrë edhe masat parandaluese përkatëse.
Reshjet e fundit të shiut, sollën probleme të shumta edhe në Qarkun r Dibrës, ku për disa orë ka mbetur i bllokuar aksi në hyrje të qytetit të Burreli. Ky aks është zhbllokuar pas disa orësh me anë të tre fadromave. Në zonën e Klosit me ndërhyrjen e Bashkisë dhe Drejtorisë së Bordit Kullimit u eliminuan pasojat e rrezikut të daljes së prurjeve të ujërave jashtë shtratit të kanalit të Klosit.
“Në njësitë administrative dhe fshatrat ka disa dëmtime dhe bllokime të pjesshme të rrugëve, por më problem është dëmtimi i segmentit të fshatit Frankth dhe Bater ku është dëmtuar një urë e vogël. Do të ndërhyhet sa më shpejt nga firma ndërtuese, për riparimin e saj. Grupet e specialistëve të Emergjencave kanë nisur verifikimin e banesave të dëmtuara nga prezenca e ujit, ndërsa në Ulëz raportohet për rreth 30 shtylla elektrike të dëmtuara”, thuhet në deklaratën MB.
Top Channel