Brukseli në alarm maksimal; shkollat dhe metrotë do vazhdojnë të jenë të mbyllura

22/11/2015 18:40

Niveli i alarmit në Bruksel do të vazhdojë të jetë maksimal, ndërsa vazhdojnë kërkimet për gjetjen e disa terroristëve të dyshuar, mes të cilëve edhe Saleh Abdeslam, një prej autorëve të sulmeve të Parisit.

Këtë e konfirmoi kryeministri belg, Charles Michel, sipas të cilit shkollat, universitetet dhe metroja në Bruksel do të vazhdonin të qëndronin të mbylluara edhe përgjatë së hënës.

“Kemi elemente të majftueshme për të thënë se kërcënimi është serioz. Jemi të ndërgjegjshëm se një vendim i tillë vështirëson jetën ekonomike dhe profesionale të belgëve, gjithsesi do të vlerësojmë sërish situatën të hënën”, u shpreh Michel.

Kryeqyteti belg u blindua gjatë fundjavës me ushtrinë që patrulloi nëpër rrugë. Qyteti i Brukselit ishte baza e militantëve të ISIS që sulmuan Parisin duke vrarë rreth 130 persona.

Më herët ministri i Brendshëm belg, Jan Jambon tha se rreziku në Belgjikë nuk vinte vetëm nga Abdeslam, por edhe nga të dyshuar të tjerë. Gjithsesi ai nuk sqaroi nëse i referohej personave të përfshirë në sulmet e Parisit apo të tjerëve që mund të jenë duke planifikuar sulme në Belgjikë.

Sipas disa mediave, policia është vënë në gjurmët e dy personave me bombë. Një zyrtar i lartë thote se ata mund të kryejne akte shumë të rrezikshme, të ngjashme me ato të Parisit.

Të dielën pasdite policia evakuoi godinën ku gjendet një televizion privat dhe një radio, pak kilometra larg Brukselit, për shkak të një automjeti të dyshimtë. Por, pas verifikimeve alarmi rezultoi të ishte fals.

Policia e përshkroi Abdeslam si një person të armatosur e mjaft të rrezikshëm. Miqtë e Abdeslam thanë për “Abc Neës” se kishin folur me agresorin në “Skype” dhe se ai u kishte thënë se ishte i fshehur në zonën e Brukselit dhe se po përpiqej dëshpërimisht të shkonte në Siri.

Një prej personave që shoqëroi atë me makinë në Belgjikë dëshmoi se terroristi kishte veshur një xhaketë të madhe dhe mund të kishte një rrip me eksploziv. Diçka e tillë, sipas avokates Carine Couquelet, sugjeronte se  Salah Abdeslam mund të kishte pasur si qëllim të hidhte vetën në erë në Paris, por më pas kishte ndryshuar mendje.

Sipas dëshmisë së miqve të tij, pjesëtarët e ISIS që po e mbanin në vëzhgim, ishin të pakënaqur me vendimin e tij për të mos kryer sulm vetëvrasës.

Vëllai i terroristit, Muhamed, i cili jeton në Belgjikë tha se ai nuk ishte radikalizuar, por e kishin manipuluar. Sipas mediave britanike, mes personave të kërkuar është edhe një shtetas britanik, i cili mendohet të jetë bashkëpunëtor i “xhihadistit Xhon”, që besohet të jetë vrarë në një sulm amerikan më 13 nëntor.

Ambasada amerikane këshilloi qytetarët e saj të qëndronin në shtëpi dhe komanda europiane e SHBA ndaloi për 72 orë lëvizjen e të gjithë personelit ushtarak dhe kontraktorëve.

Autoritetet belge kanë akuzuar deri më tani 3 persona për përfshirje në sulmet e Parisit, që u morën përsipër nga Shteti Islamik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA