Policia e Kosovës po vazhdon kërkimin e deputetëve të opozitës për t’i arrestuar për hedhjen e gaz lotsjellësve në Kuvend ditëve të fundit.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani ka treguar përmes telefonit për Top Channel se aktualisht policia është duke i kërkuar deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët akuzohen nga Prokuroria për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe posedim të armëve.
Kelani tha se fletarrestet për deputetët e kërkuar janë aktive dhe policia do t’i zbatojë derisa t’i takojë këta deputetë për t’i shoqëruar në Prokurori, ashtu siç parashihet në fletarrestet e lëshuara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Zëdhënësi i Policisë nuk ka dashur të tregojë nëse policia ka informacione për vendndodhjen e deputetëve të kërkuar, por ka sqaruar se në momentin që policia bie në kontakt me ta, do t’i shoqërojë për në Prokurori.
Përveç deputetëve të kërkuar sipas fletarresteve, Kelani tha se policia është në fazën e hetimeve edhe për veprat penale të shkaktuara nga persona të tjerë në përleshjet e fundit me Policinë dhe me qytetarë nëpër kryeqytet.
I pyetur për manifestimin protestues të opozitës të ftuar më 28 nëntor, zëdhënësi i policisë tha se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për këtë aktivitet të opozitës, por që siç tha Kelani, policia do jetë e përgatitur për të ofruar siguri dhe për të menaxhuar me situatën e çfarëdo natyre që mund të paraqitet.
Top Channel