Paris, konfirmohet vdekja e arkitektit të sulmeve. Kamikazja kishte qenë kushërira

19/11/2015 13:50

Xhihadisti belg, i dyshuar si arkitekti i sulmeve vdekjeprurëse në Paris, humbi jetën një ditë më parë së bashku me një kushërirë të tijën, pas bastisjes nga policia të një apartamenti në periferi të kryeqytetit francez. Ky është konfirmimi zyrtar i hetuesve francezë i ardhur këtë të enjte, duke shtuar se ende nuk dihet mënyra sesi vdiq ai.

Trupi i Abdelhamid Abbaoud, 27-vjeçar, është gjetur në ndërtesën e vënë në shënjestrën e policisë franceze gjatë së mërkurës, në atë mësymje kaotike dhe me gjakderdhje të zhvilluar për rreth 7 orë në periferinë Saint-Denis, si dhe është identifikuar mbi bazën e mostrave të lëkurës, u bë e ditur nga zyra e prokurorit të Parisit gjatë ditës së sotme.

Abaaoud kishte ngecur në Paris pasi ishte raportuar më herët se gjendej në Siri, por zyrtarët nuk kanë publikuar ndonjë detaj mbi mënyrën sesi u ka shpëtuar aq shumë kufijve ndërshtetërorë në rrugëtimin e tij drejt kryeqytetit francez. Autoritetet nuk kanë detajuar gjithashtu as rrethanat apo veprimet e tij gjatë masakrës vdekjeprurëse që la të paktën 129 të vdekur dhe rreth 350 të plagosur javën e kaluar në Paris.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve tha se Franca nuk kishte dijeni përpara sulmeve terroriste të javës së kaluar, se Abaaoud ndodhej në Europë, por deklaroi se ai besohej të ketë qenë pas 4 sulmeve terroriste të shmangura që prej pranverës nga autoritetet franceze.

Ndërkohë, zyrtarë policia kanë thënë për “Associated Press” se, gruaja që vdiq gjatë mësymjes së policisë ishte kushërira e Abaaoud. Hasna Aitboulahcen besohet të ketë qenë gruaja që hodhi veten në erë me një brez të mbushur me eksplozivë gjatë së mërkurës, e ndodhur pikërisht në banesën në fjalë dhe pasi kishte debatuar shkurtimisht me oficerët e policisë.

Zyrtarët kanë konfirmuar këtë gjë përmes një regjistrimi audio, të pasuar më pas nga të shtëna, në të cilën oficerët e kishin pyetur atë se ku e kishte të dashurin, dhe ajo u ishte përgjigjur se ai nuk ishte i dashuri i saj.

Trupat e rikuperuar pas bastisjes gjakderdhëse ishin në gjendje tepër të keqe, teksa një pjesë e shpinës së Aitboulahcen kishte përfunduar mbi një makinë policie, duke ngadalësuar procesin e identifikimit, tha zyrtari i policisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA