Ashpërsohet gjuha politike nga radhët e opozitës në Kosovë përsa i përket reagimeve për situatën pas arrestimit të deputetes Donika Kadaj-Bujupi dhe aksionit policor ndaj deputetëve të tjerë opozitarë. Ndërkohë, për këtë të enjte nuk pritet të ketë protestë në rrugë.
Kryetarët e tri subjekteve politike, përfshi edhe kryetarin e komunës së Prishtinës, u takuan të enjten sërish në selinë e AAK-së për të harmonizuar qëndrimet e tyre. Ramush Haradinaj, Visar Ymeri dhe Fatmir Limaj kërkuan nga qeveria e Kosovës, por edhe nga organet e rendit, t’i ndalin veprimet kundër opozitës, pasi, siç tha Haradinaj, një ditë mund t’u thyhen vetë shtëpitë e tyre.
“Ta keni parasysh se dje ka qenë reagim, nuk ka qenë protestë dhe ky reagim ka qenë aty për aty, i provokuar nga veprimi i dhunshëm i policisë, me detyrë nga urdhërdhënësi i tyre. Ju i keni parë dyert e shtëpive. Zakonisht, kur thyhet dera e shtëpisë, mos të mendojë ai tjetri se e ka shtëpinë e qetë, edhe zoti Mustafa edhe zoti Thaçi duhet ta dinë që një ditë mund t’u thyhen edhe dyert e shtëpive të tyre, se ata nuk janë jashtëtokësorë, aq sa janë me autoritet familjar Albin Kurti, aq sa është Albulena Haxhiu, po aq sa është Donika, aq janë edhe ata”, tha Haradinaj.
Haradinaj refuzoi të komentojë deklaratën e përbashkët të pesë shteteve aleate, ShBA, Britani e Madhe, Francë, Itali dhe Gjermani, të cilat dënuan dhunën për arritjen e qëllimeve politike. Ambasadat e këtyre shteteve konsiderojnë se dhuna poolitike është e papranueshme dhe si e tillë dëmton interesat e qytetarëve të Kosovës dhe pozitën ndërkombëtare të saj.
Por për opozitën situata nuk do të ndryshojë për aq kohë sa qeveria nuk tërhiqet nga dy marrëveshjet e dëmshme, sipas tyre, për asociacionin dhe ajo për demarkacionin.
Visar Ymeri, kryetar i VV-së, deklaroi: “Kundërshtimi jonë karshi këtyre marërveshjeve është kundërshtim politik, është i drejtë dhe legjitim në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për republikën sovrane e jo për Zajdenicën e Vuçiçit dhe të Daçiçit”.
Ndërsa Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, tha: “Kosova është kapur peng nga dy njerëz rreth të cilëve janë mbledhur individë të gatshëm për ta futur në konfrontim popullin. Demokracia ka marrë një goditje të madhe nga dje kur e ka arrestuar deputeten. Sot kemi një deputete në burg”.
Reagimet kundër marrëveshjeve do të vazhdojnë, thanë liderët e opozitës, në formën siç kanë qenë deri më tani, pa shpalosur këtu edhe planet konkrete të tyre. Sa i përket protestës në rrugë, Ramush Haradinaj shtoi se tani për tani mbetet vendimi për organizimin e një manifestimi gjithëqytetar, në kundërshtim të marrëveshjeve në ditën e flamurit kombëtar, më 28 nëntor.
Top Channel