Cili është problemi me Islamin në ditët e sotme?

19/11/2015 00:00

Mustafa Nano – Është një gjë e mirë që myslimanët shqiptarë nuk janë menduar dy herë para se të flasin përballë asaj që ndodhi në Paris. Ata i kanë dënuar qartë e prerazi terroristët që me bëmat e tyre provokuan dhjetëra të vrarë e ca më shumë të plagosur.

Mund të ketë sa të duash myslimanë, të cilëve nuk u shkon mendja të bëjnë të njëjtën gjë; madje, një pjesë syresh duhet të kenë fërkuar duart me gëzim. Por është domethënës fakti që ata nuk kanë gjetur guximin e hapësirën për ta shprehur këtë qëndrim të tyrin. Ermir Gjinishi, Olsi Jazexhi e Ali Zaimi, njerëz të informuar mbi punët e myslimanëve këtyre anëve, me të cilët u ndodha parmbrëmë në studion e Dudushit, folën për një ndikim në rritje të rrymave ekstremiste e të xhamive jashtë kontrollit, ku predikohet një Islam radikal. Por fakti që ekstremistëve islamikë nuk para u shkon në mendje të dalin në shesh me idetë e tyre do të thotë se Shqipërinë nuk e shohin ende si një terren të tyrin. Në këtë kuptim, nuk janë ata që duhet të na shqetësojnë. Hëpërhë, të paktën.

Duhet të na shqetësojnë disa reagime prej pjesës “zyrtare” të myslimanëve. Këta të fundit, sa herë që ndodhen në rrethanat kur bëhen krime e masakra të emër të fesë së tyre, kapen sa hap e mbyll sytë prej një kompleksi faji, gjë që duket paradoksalisht te përpjekjet për të shfajësuar veten e fenë e tyre e për të bërë me faj të tjerët. “Kjo që po ndodh është faji i Perëndimit, Europës e SHBA-së”, thonë ata dhe me këtë kanë në mendje ose ndonjë sponsorizim e mbështetje që i është dhënë ndonjë grupi islamik terrorist ose aleancat me logjikën e një real-politike cinike të këtyre vende të Perëndimit me regjimet e vendeve arabe e myslimane, ose ndonjë luftë që ka mbjellë kaosin në atë zonë të botës (sidozot, lufta kundër Irakut të Sadam Hussain-it).

Tani, nuk duhet të kemi pikën e dyshimit që Perëndimi ka faje të rënda në gjithçka ndodh në botën arabe, por është disi trillane të bësh një lidhje mes këtyre fajeve nga njëra anë e masakrave që bëhen nën thirrjet “Allahu akbar” nga ana tjetër. Ishte për shkak të këtyre fajeve të Perëndimit, fjala vjen, që vëllezërit Kouachi u futën të armatosur deri në dhëmbë në redaksinë e gazetës satirike “Charlie Hebdo”, dhe aty shtinë mbi këdo që u doli përpara, duke lënë të vrarë 11 vetë? Jo, absolutisht jo. Këta të dy thjesht nuk kanë mundur të gëlltisin dot faktin që dikujt i shkon në mendje për të përqeshur apo karikaturizuar Profetin e tyre, dhe në këtë mes kemi të bëjmë me një fanatizëm fetar të skajshëm. E duhet thënë se fanatizmi fetar është faktori numër një që i shtyn këta njerëz të hedhin në erë veten apo të tjerë. Kush pretendon të kundërtën, ose nuk i kupton gjërat, ose i fsheh ato.

Dhe ja ku dolëm te një pretendim tjetër që është dëgjuar këto ditë. “Autorët e masakrave në Paris nuk janë myslimanë; ata nuk kanë lidhje me Islamin, ashtu si nuk kanë lidhje me Islamin as luftëtarët e IS-it”, kanë thënë njerëz të ndryshëm të besimit islam në përpjekje për të shpjeguar sjelljen e terroristëve. Mirëpo nuk është kështu. Ata kanë të drejtë të thonë që këta terroristë nuk përfaqësojnë të gjithë myslimanët, që shumica e myslimanëve të botës nuk kanë asnjë lidhje me këto mendje të prishura, që këta e njollosin fenë e tyre, por nuk ka asnjë kuptim të thonë se ata nuk janë myslimanë. Sepse në fakt, ata janë myslimanë, janë të tillë në kuptimin që kanë lexuar Kuranin (aq e ashtu si e kanë lexuar), që kanë shkuar në xhami, që kanë dëgjuar predikimet e një imami, që janë falur pesë herë në ditë, që japin zeqat, e që në fund vrasin veten e të tjerët nën thirrjet “Allahu akbar”. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ekstremistët që vijnë vërdallë e veprojnë në Shqipëri, të cilët janë myslimanë gjithë ditën e ditës.

Përgjigjja më e mirë e myslimanëve në këto rrethana pra nuk është të bëjnë “skomunikimin” e terroristëve, por të marrin në mbrojtje Islamin e tyre të paqes. Dhe ky Islam i paqes nuk duhet shpikur duke cherry pick-uar nga Kurani gjëra që bien mirë në veshët e të tjerëve, e duke fshehur faktin që në Librin e tyre të Shenjtë, ashtu si dhe në Libra të tjerë të Shenjtë, nuk ka veç mesazhe të lezetshme e paqësore, por ka edhe mesazhe luftarake, të dhunshme, mesazhe të intolerancës e të urrejtjes. Ata nuk duhet ta fshehin këtë pjesë të Librit të tyre, sepse kështu i bie që nuk guxojnë t’i dalin për zot fjalës së Zotit, dhe ky do ishte një mëkat i ububushëm për një mysliman, por duhet të adoptojnë leximet e interpretimet adeguate në përputhje me një traditë të pasur të Islamit, qysh në krye të herës, në këtë drejtim. Shkurt, imamët, scholarët e intelektualët myslimanë nuk ka pse të përsërisin si me droje, e deri në mërzi, refrenin se “Islami është një fe e paqes”, por duhet të gjejnë çelësa interpretativë të Kuranit e të Haditheve në mënyrë që të bindin veten (dhe të tjerët gjithashtu) se Islami mund të jetë një fe e paqes. Nuk është se Islami është fe e paqes. Janë njerëzit që mund ta shndërrojnë atë në fe të paqes apo në fe të dhunës. Forca e një feje,  më shumë sesa doktrina, janë besimtarët e saj dhe mënyra se si këta e lexojnë këtë doktrinë (kryqtarët kanë bërë krime të përbindshme në fillim të mijëvjeçarit të shkuar; dhe gjithçka e kanë bërë në emër e në mbrojtje të fesë së tyre).

Prandaj, personalisht kam bindjen se problemi nuk janë as perëndimorët, as afetarët idiotë (ky është një përcaktor që ua vinte afetarëve myftiu i Shkodrës, Muhamet Sytari në një shkrim të vetin të publikuar te Mapo e djeshme; nuk u besoja syve teksa e lexoja këtë epitet që ai na e jepte gratis neve afetarëve), as Islami si fe, por janë – këtu po huazoj titullin e një libri të shkruar nga Irshad Manji, një grua kanadeze, myslimane – vetë myslimanët.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA