A duhet ta anuloj udhëtimin tim për në Paris?

19/11/2015 17:35

Ndër të tjera, sulmet terroriste në Francë kanë ngritur edhe pyetjen: A duhet ta anuloj udhëtimin tim për në Paris? Me afrimin e muajit të festave, si Krishtlindjet  apo Viti i Ri, Franca është një nga destinacionet më të frekuentuara të turisteve.

Shumë qendra turistike të njohura të Parisit, janë mbyllur prej ditës së premte, sikurse muzeu i “Luvrit” apo edhe kulla “Eiffel” e, cila vijon të jetë me drita të fikura.

“Nëse zgjedh të shkosh tani në Paris”, thotë një përfaqësuese britanike e një agjencie turistike, “do të shohësh më shumë makina sesa këmbësorë, dhe sigurisht forca policore çdo 5 metra”.

Sipas një investigimi të televizionit “France 24”,  kompanitë franceze të udhëtimit, dhe shumë pika turistike morën një goditje që prej ditës së hënë, duke treguar se sulmet terroriste do të kenë një ndikim afatgjatë në këtë industri.

Gjatë ditëve të para pas sulmit, pasagjerët që kishin rezervuar një udhëtim për në Paris gjatë fundjavës, por që e anuluan në momentet e fundit, morën paratë e tyre mbrapsht nga agjencitë.

Por tani vijojnë kushte normale për prenotim, megjithëse kërkesa paraqitet e ulët. “Fluturimet shkojnë e vijnë”, thotë një punonjës i aeroportit “Charles De Gaulle”, por fluksi i njerëzve është i pakët.

Përveç fluturimeve ajrore, edhe linjat direkte me tren kanë pësuar të njëjtin fenomen . Por goditje nuk marrin vetëm kompanitë e udhëtimeve, paralelisht me to edhe hotelet, baret, dyqanet apo restorantet.

Nga të dhënat e vitit 2014 të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Franca është ekonomia botërore e gjashtë më e madhe në botë, e dyta më e fuqishmja në eurozonë.

Ndërkaq shifrat tregojnë se turizmit përbën rreth 7.4% të të ardhurave vjetore në vend. Afërsisht në një vit Franca mirëpret 84.7 milionë turistë të huaj, ku fitimi arrin në 42 miliardë euro.

Fitimet e Francës nga turizmi

• 44.1 milionë $ nga të ardhurat e taksave
• 74% e vendeve të punës i kanë aktivitetet e lidhura me turizmin
• 155 $ është shuma  mesatare e perditshme e shpenzuar nga turistët
• Ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës
• Ekonomia e gjashtë më e madhe botërore

Një keshilltar i konsulencës “Eurasia Group” shprehet se turistët tani e në vazhdim do e mendojnë 2 herë udhëtimin për në Paris.

“Dy masakra në një vit, veçanërisht kur ky i fundit kishte si objektiv njerëz të thjeshtë, sigurisht që do të ndikojnë në turizëm. Ne kemi parë shumë anullime biletash deri tani, dhe në të njëjtën kohë kemi parë turistë që ishin në Francë dhe u larguan. Por goditje nuk do të marrë vetëm industria e turizmit, edhe shpenzimet ditore të njerëve do të ulen. Askush nuk do të qëndrojë në kafene shumë gjate apo restorante”, shprehet keshilltari i “Eurasia Group”.

Edhe per shefin europian te “HIS”, besueshmëria e konsumatorëve do të bjerë gjithashtu.  Teksa nuk dihet sesa do të zgjasë zia e industrisë së turizmit në vend, Franca ka hartuar 3 faqe masash që do t’ja propozojë edhe vendeve të tjera, ku rigoroziteti në pikat e kontrolleve është edhe kryefjala e këtij plani të ri. Bashkimi Europian do të shtojë kontrollet edhe në kufijtë e jashtëm të zonës “Shengen”, por edhe për personat që gëzojne lëvizjen e lirë.

Masat e reja do të diskutohen në një takim urgjent në Bruksel ditën e premte, ku do të jenë të pranishëm ministrat e Brendshëm të unionit. Po ashtu do të diskutohet forcimi i shërbimeve të inteligjencës si edhe rregulla më të rrepta për mbajtjen e armëve të zjarrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA