Gjatë orëve të mbrëmjes, protestuesit në Prishtinë pasi janë informuar për masën e caktuar nga Gjykata kompetente ndaj deputetes Kadaj-Bujupi, përsëri kanë shfaqur dhunë ndaj policisë dhe objekteve zyrtare.
Bëhet e ditur se si pasojë e dhunës 7 policë kanë mbetur të plagosur, ndërsa disa të tjerë kanë marrë lëndime të lehta, por nuk e kanë pasur të nevojshme të marrin ndihmë mjekësore. Gjithashtu bëhet e ditur se të plagosur kanë mbetur edhe dy qytetarë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se deri në orën 19:30 ka shoqëruar 22 persona, ndërsa ka sekuestruar në vendngjarje edhe një çantë të dyshuar me koktej molotovi.
Gjithashtu, në protestat e dhunshme ka pasur edhe një sërë dëmesh materiale, ku mbi 10 automjete kanë pësuar dëmtime, 4 nga të cilat i përkasin policisë.
Pas akteve të dhunës të orëve të mbrëmjes, ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës Atifetja Jahjaga.
“Dhuna kundër policisë dhe vandalizmi i pronës, private e publike, nuk mund të arsyetohet në asnjë rast. Qetësia dhe rendi duhet të rivendosen dhe kryeqytetit duhet t’i rikthehet normaliteti. Qytetarët e Kosovës nuk mund të bëhen peng i një situate jonormale që po mbretëron në vendin tonë”, ka shkruar Jahjaga në llogarinë e saj në ‘Favebook’”.
Sipas Jahjagës, dialogu dhe institucionet janë mënyra e vetme për të tejkaluar situatën e krijuar dhe ajo kërkon veprim të përbashkët në parandalim të çfarëdo eskalimi të mëtutjeshëm të gjendjes.
Top Channel