Ilir Yzeiri – Atentatet e përgjakshme në Paris e kanë tronditur botën dhe kanë zgjuar gjithë paranojat, klishetë, krizën e rëndë të identitetit dhe kanë përhapur me shpejtësi vetëm një ndjesi- frikën duke e bërë planetin një hapësirë të paqetë, sepse asnjë cep i tij nuk është më i sigurt.
Gjithnjë e më shumë po gjen vend arsyetimi se tani konflikti botëror ka zbritur brenda nesh dhe ai po instalohet me shpejtësi në përplasjen e “un-it” me “tjetrin” e ndryshëm për shkak të besimit, të ngjyrës së lëkurës apo të racës. Nëse do të dëgjosh apo do të ndjekësh opinionet e mediave perëndimore, vëren se ksenofobia, ekstremizmi dhe radikalizmi i qarqeve europiane, po gjejnë justifikim për ta projektuar islamin dhe myslimanin si burim të së keqes, ndërsa pjesa e moderuar kërkon që Europa të mos bjerë në këtë grackë dhe se duhet të tregohet e kujdesshme që të ndajë terroristët fundamentalistë me frymëzim islam, nga myslimanët e zakonshëm.
Të gjithë kanë theksuar se në botë janë rreth dy miliardë myslimanë dhe askush nuk do të donte që të radikalizohej qëndrimi mes tyre dhe kristianëve. Të tjerë analistë vënë re se Europa dhe SHBA kanë dështuar në përpjekjet e tyre për t’u përballur me krizën e rëndë në Siri, Irak apo Lindjen e Mesme. Po ashtu, paqja e ftohtë e Perëndimit me Rusinë e ka bërë skenën politike botërore më të brishtë. Ndërkaq, aksionet ushtarake në Afganistan ose në Irak nuk kanë sjellë përmirësim të skenës politike botërore, por e kanë përkeqësuar atë. Ish-kryeministri francez dhe ish-ministri i Jashtëm, Vilëpen, tha se ISIS është fëmija ynë, se ky formacion radikal u krijua nga perëndimorët për të luftuar Asadin.
I paqartë dhe në shumicën e herës në drejtim të kundërt me synimet e paqes në rajon, ka qenë angazhimi i Turqisë, e cila nën maskën e angazhimit kundër terrorit në Siri, ka sulmuar dhe ka dashur të lajë hesapet me kundërshtarët e saj historikë, kurdët. Avionët turq kanë bombarduar me furi ushtrinë kurde e cila stërvitet nga amerikanët dhe me ndihmën e aleatëve perëndimorë lufton kundër shtetit islamik. Jashtë skenës së zgjidhjes së konfliktit ka mbetur Irani, por terrori përfshiu tash në fund edhe Libanin. Ndërkaq, Europa po vuan pasojat e një krize që nuk dihet se ku do ta ketë fundin. Vala e emigrantëve që ka pushtuar atë, në mënyrë paradoksale, e ka bërë Europën metaforë kontradiktore, nga njëra anë vend të shpresës për shumicën e myslimanëve që ikin nga lufta dhe, nga ana tjetër, shënjestër për terroristët islamikë.
Po shqiptarët ku janë?
Në këtë panoramë të komplikuar të gjeopolitikës botërore jemi përfshirë edhe ne shqiptarët. Për fat të keq, sapo shpërthen diku një konflikt, ndaj nesh zgjohen demonët e paragjykimeve dhe klisheve, të cilat na projektojnë me një identitet negativ. Faik Konica, por edhe të tjerë filozofë të Rilindjes shqiptare polemizonin fort që në fund të shekullit XIX me qendrat europiane të mendimit kur vinte puna për identitetin e shqiptarëve. Që në numrin e parë të revistës së tij, “Albania”, Konica, në artikullin e tij në frëngjisht, polemizonte me një studiues frëng që botonte në një nga organet e njohura të kohës “Revue des deux mondes” një shkrim në të cilin shqiptarët i quante sllavë të jugut të myslimanizuar.
Kjo klishe e Europës ndaj nesh, pra indiferenca cinike e Europës për Ballkanin dhe veçanërisht për kulturën tonë, vazhdon edhe sot. Por, për hir të së vërtetës, sot, ringjalljen e këtyre klisheve po e ndihmojmë edhe ne. Shqiptarët në Ballkan, me mbështetjen e aleatëve të mëdhenj perëndimorë – SHBA-Europë – e zgjidhën problemin nacional ose atë që formulohej në fund të shekullit XIX si parimi i lirisë së popujve. Ne sot jemi dy shtete në Ballkan, por nuk po arrijmë të krijojmë një identitet të vetëm. Fataliteti ynë si komb është se ne prodhojmë elita që nuk na ndihmojmë të eksportojmë identitetin tonë të vërtetë, atë që Pashko Vasa dhe rilindësit e mëdhenj e përcaktuan si “shqiptari”, që mbi të gjitha do të thotë harmoni mes njerëzve me besime të ndryshme.
Papa Françesku e zgjodhi Shqipërinë si vendin e parë që vizitoi në Ballkan dhe u entuziazmua nga ajo që gjeti këtu. Ai madje e promovoi këtë harmoni duke e shpallur vendin tonë si model të harmonisë fetare. Por ne nuk ditëm ta shfrytëzonim këtë rast, sepse elitat tona politike si në Shqipëri, si në Kosovë nuk kanë vizion për të punuar që identiteti ynë të mos komprometohet. Para disa ditësh, dy kombëtaret e futbollit shqiptar, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë, u ndeshën në Prishtinë. Ishte një festë e mrekullueshme e paqes dhe e epërsisë së identitetit tonë që është faktor pozitiv në Ballkan. Mirëpo, këtë ngjarje ne nuk ditëm ta përhapim ashtu siç duhet dhe ua lëmë të tjerëve që të na quajnë provokatorë. Në gjithë këto vite pluralizëm, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, elitat tona politike nuk kanë ditur të ngjallin shpresën, por i kanë bërë të dyja vendet hapësira trishtimi dhe vala e emigrantëve nga Shqipëria e Kosova shkon njësh me ata nga Siria apo vendet e tjera ku bëhet luftë duke na përzier edhe ne me paradigmën e emigrantëve myslimanë. Të dyja elitat politike, si ajo në Kosovë si kjo në Shqipëri kanë hequr dorë nga ringritja kulturore e bashkëkombësve të tyre dhe i kanë dorëzuar ata në sallat e errëta të xhamive ku predikohet xhihad apo në salla të errëta ku ulërijnë këngëtarët banalë të turbofolkut. Identiteti ynë kulturor po zhbëhet përditë dhe shqiptarët në të dyja anët e kufirit po u dorëzohen impulseve orientale që kanë qenë fshehur në nënvetëdije. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme të rinjsh identifikohet lehtë me islamin radikal duke na rreshtuar ne pa të drejtë me terroristët islamikë të Kalifit.
Vend pa përgjegjësi morale
Ky vend e ka humbur çdo shenjë të përgjegjësisë morale dhe intelektuale. Po e ilustroj me një shembull. Dita e premte ishte një ditë e zezë për të gjithë Europën dhe për botën mbarë. Serioziteti i një vendi manifestohet sidomos në median publike. Të gjitha TV-të publike perëndimore i ndërprenë transmetimet dhe informonin publikun e tyre për tragjedinë, vetëm RTSH-ja shqiptare vazhdonte transmetimin e ndeshjeve sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ditën tjetër, paradite, kur gjithë Europa ishte në zi, RTSH-ja shqiptare transmetonte një sfilatë mode me fëmijë dhe shfaqte vajza të vogla lyer me buzëkuq që sfilonin në një pasarelë. Ky emision, që është një lloj nxitjeje e pedofilisë, nuk mund të transmetohej në ditë normale jo më në një ditë të zezë. Dhe për t’i vënë vulën, në mbrëmje po RTSH-ja jonë transmetonte këngë festivalesh. Një tmerr, një vend pa identitet, një vend pa asnjë shenjë. Ndërsa spektakli i Kryeministrisë me ndriçimin trengjyrësh ishte thjesht një fasadë që nuk i shtonte asgjë kaosit identitar ku është zhytur ky vend.
Gazeta “Shqip”
Top Channel